Presidenti amerikan, Joe Biden, në urimin e tij për 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, inkurajoi udhëheqjen në Kosovë që të përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.
“Së bashku me shtetet e tjera në rajon dhe mbarë botën, SHBA-ja inkurajon udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet, përfshirë edhe të gjitha marrëveshjet e arritura përmes këtij procesi”, tha Biden në urimin dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Udhëheqësi amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm “të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues”.
“Ne po ashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”, tha Biden.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve, me lehtësim të BE-së, që nga viti 2011.
SHBA-ja e mbështet këtë proces, por nuk është pjesë e tij.
Palët ndër vite kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në praktikë. Një prej marrëveshjeve që faktori ndërkombëtar i kërkon me ngulm Kosovës që ta zbatojë është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Po ashtu, vitin e kaluar palët arritën një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit dhe u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit të saj.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
BE-ja ka thënë se marrëveshja, që nuk është nënshkruar por është obligative për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet./REL