Qeveria britanike nuk do të paraqesë një buxhet këtë vjeshtë për të lejuar ministrin e Financave, Rishi Sunak, që të përgatisë masa të reja për skemën e pjesshme të papunësisë, e cila skadon në fund të tetorit, sipas një burimi qeveritar.
“Do t’i drejtohem Dhomës së Komunëve të enjten për paraqitjen e planeve tona për të vazhduar mbrojtjen e vendeve të punës këtë dimër, përballë një ringjalljeje të pandemisë së COVID-19, që kërcënon rimëkëmbjen e brishtë ekonomike në Britani”, shkroi Sunak në Twitter.
Prej disa ditësh, Thesari britanik është nën një presion në rritje për të zgjatur ose zëvendësuar sistemin e pjesshëm të papunësisë, i cili, që nga mbyllja e dekretuar në fund të marsit në kulmin e epidemisë, subvencionoi 80% të pagave ose të ardhurave mesatare të punëtorëve të vetëpunësuar, deri në 2 500 stërlina në muaj.
Ndërsa mijëra vende pune tashmë janë shkurtuar, nga ky mekanizëm kanë përfituar 9,6 milionë vende pune./ATSH