Moti i keq pritet të përfshijë gjirin e Durrësit nga e premtja e kësaj jave deri të hënën e javës së ardhshme. Rrebeshi i parë i vjeshtës përmbyti rrugët e qytetit bregdetar, çuditërisht në po të njëjtat akse që janë përmbytur gjithnjë, pavarësisht se pas çdo investimi premtohej se situata do të ndryshonte.
Stuhia e sotme e shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe rrufe nuk do të jetë e vetmja e kësaj jave. Situata pritet të jetë më e rënduar në fundjavë, siç duket edhe në videon që po publikon DurrësLajm.
Ndërkohë, motin e keq që pritet të karakterizojë vendin tonë, sidomos gjatë ditës së shtunë e paralajmëron edhe një sinoptikan grek.
Klearhos Marousakis, sinoptikan i televizionit grek Open paralajmëron se Makthi ′′i luleve” do rikthehet në ditët e ardhshme, raporton TCH.
Ai e ka fjalën për ciklonin që goditi Greqinë dhe që në fundjavë do të rikthehet me egërsi në shumë pjesë të vendit fqinj. Por sipas hartave që tregon sinoptikani grek, e rrezikuar është edhe Shqipëria e jugut dhe zona veriperendimore që korrespondon me Lezhën e Shkodrën. Ai thotë se këtë të shtunë, moti i keq do të godasë Greqinë me shira dhe stuhi të mëdha në perëndim dhe verilindje. Rritja e rrezikut të përmbytjeve paraqitet nga ishujt Jon, në zonën e Epirit dhe Peloponezi perëndimor por edhe Maqedonia Lindore, Traka dhe ndoshta Egjeu verilindor.
Ai kërkon organizim para se të jetë vonë. “Eksperienca ka treguar se paralajmërimet e minutës së fundit nuk janë të mjaftueshme për të organizuar qytetarët dhe autoritetet shtetërore. Kjo është arsyeja pse ne kemi kohë ne sigurohemi që secili nga ana e tij të bëjë atë që duhet”, thotë sinoptikani. /TCH





