Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e sotme në Durrës, ku 17-vjeçari Elvin Zira u plagos me mjet prerës, thikë.

Mësohet se i plagosuri dhe autori, shtetasi Xh.S., 16 vjeç ishin konfliktuar për motive të dobëta tre ditë më parë, ndërsa sot do të sqaroheshin me njëri-tjetrin në prani edhe të miqve të tyre.

Në përpjeke për t’u sqaruar, dy adoleshentët kanë debatuar, janë konfliktuar fizikisht dhe më pas situata mes tyre ka degjeneruar në përdorimin e armëve të ftohta.

16-vjeçari ka goditur me thikë 17-vjeçarin ndërsa një nga miqtë e autorit ka tentuar ta qëllojë atë me sëpatë por fatmirësisht Zira i është shmangur.

Më pas i plagosuri ka ecur duke mbajtur plagën me dorë rreth 1 kilometër nga lagjja “Stalla” drejt qendrës së Sukthit për të marrë sa më parë shërbimin mjekësor.

Policia njoftoi më herët se 17-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa bëri me dije se ka rënë në pranga autori i ngjarjes.