Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se mbështetja për pensionistët dhe invalidët do të jetë prioritet kryesor i forcës politike që ai drejton.
Meta ka nisur një tur takimesh nga fshati Kozare në Kuçovë, ku ndër të tjera ka deklaruar se shumë shpejt do të depozitojnë në Kuvend nismat ligjore.
“Mbështetja për pensionistët dhe invalidët do të jetë prioritet kryesor i Partisë së Lirisë. Shumë shpejt në Kuvend do të paraqesim nismat tona ligjore. Kënaqësi të nisja turin e takimeve nga Kozara”, shkruan Meta.
Ndërkohë kreu i PL-së ka zhvilluar edhe një takim me gra dhe vajza të Kuçovës, ku ndër të tjera thotë se “programi i Partisë së Lirisë ka fuqizimin e tyre prioritet kyç”.
“I falenderova për mbështetjen e jashtëzakonshme që dhanë për fitoren e grabitur të Lefter Maliqit si Kryebashkiak. Dita e përurimit të tij si Kryebashkiaku i Kuçovës nuk është e largët”, shkruan Meta.