Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit të bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, u shpreh se rëndësia e saj i tejkalon kufijtë e vendit tonë. Ai theksoi se baza e re është një element i shtuar sigurie për rajonin tonë, i cili është i rrezikuar nga ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse. Ndër të tjera Rama bëri të ditur edhe se kjo bazë e re, do të shoqërohet në vitet në vijim, nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano.

Rama: Dua t’i shpreh falënderim të gjithë atyre që kontribuan, duke nisur nga aleatët tanë të NATO-s, me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re, do të shoqërohet në vitet në vijim, nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano. Jemi besimplotë se së shpejti do t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës. Urim për shëndet të gjitha Forcave tona të Armatosura, që dita ditës e bëjnë Shqipërinë më krenare.