Paraditën e kësaj të marte kanë dalë para gjykatës së Durrësit të rinjtë e arrestuar për ngjarjen kriminale ku mbeti i vrarë Armando Baboçi dhe dy persona të tjerë u plagosën.

Me pranga në duar, të rinjtë janë shoqëruar nga forcat e policisë në ambientet e brendshme të Gjykatës Durrës.

Masa e sigurisë për të pandehurit Klodjan Daçi, Henri Tatasi (ndodhet i plagosur në spital), Sergio Tatasi, Endri Cimo (Bregu) dhe Argit Kastrioti do të jepet nga gjyqtari Vladimir Skënderi.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të premtes në lagjen nr.13 në Durrës pas një sherri masiv ku mbetën të përfshirë shumë persona, të cilët u konfliktuan mes tyre fillimisht me mjete të forta e më pas situata precipitoi deri në përdorimin e armëve.

Si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital 39-vjeçari Armando Baboçi ndërsa u plagos i biri Erald Gjini si dhe një nga autorët e arrestuar Henri Tatasi. Lidhur me ngjarjen, policia arrestoi 5 të rinjtë ndërsa shpalli në kërkim edhe 3 persona të tjerë.