Një javë pasi plagosi barbarisht dy persona me thikë, policia e Kavajës arreston shtetasin Rizan Aliu, 45 vjeç, i cili më datë 16 shtator rrahu brutalisht e qëlloi me thikë fqinjin e tij 60-vjeçarin, Besnik Çelmeta dhe nipin e këtij të fundit.
Policia bën të ditur se 45-vjeçari akuzohet për “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Si ka ndodhur ngjarja
Rizan Aliu fqinj me 60-vjeçarin hyn menjëherë pas tij në lokal. Pasi i komunikon diçka Aliu tenton që ta nxjerrë jashtë, por Çelmeta refuzon.
Në këtë çast ai e godet me grushte dhe shqelma dhe më pas nxjerr një thikë me të cilën e qëllon disa herë.
Për të ndaluar autorin ndërhyn edhe nipi i Çelmetes, por Rizan Aliu e qëllon edhe atë me thikë. U desh ndërhyrja e një tjetër personi që e bindi autorin të largohet. Edhe para se të dalë nga lokali, Aliu e kërcenon përsëri nipin e Besnikut me thikë në fyt, por fatmirësisht nuk e godet.
E gjithë skena ndodhi në prani të vajzës së vogël të autorit. Si pasojë e dhunës, Besnik Çelmeta dhe nipi i tij u dërguan në Spitalin e Kavajës ku morën ndihmë mjekësore. Mësohet se raportet mes dy fqinjëve, Besnik Çelmetes dhe Rizan Aliut kishin qenë shpeshherë të tensionuara për motivin banal të hedhjes së mbeturinave.





