Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për poseduesit e pasaportave serbe që jetojnë në Kosovë, Matjazh Nemec, synon që vendimi për heqjen e regjimit të vizave të miratohet në prill, para se të shpërndahet PE-ja në prag të zgjedhjeve të qershorit.
Nga kabineti i raportuesit nga Sllovenia thanë për Radion Evropa e Lirë se Nemec tashmë ka përpiluar draftin e raportit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, pasaporta që janë lëshuar nga Autoriteti Koordinues, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Nga Zyra e Nemec thanë se Komisioni për liritë qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme i PE-së do të duhej të votonte për këtë raport më 8 prill, në mënyrë që më pas raporti të mund të hidhej në votim në seancën plenare të PE-së që zhvillohet nga 22 deri më 25 prill.
Kjo do të jetë seanca e fundit plenare e përbërjes aktuale të PE-së, pasi nga 6 deri më 9 qershor do të mbahen zgjedhjet e reja për këtë institucion në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Plani, natyrisht, është preliminar dhe në secilin moment mund edhe të pësojë ndryshime, nëse kështu vendos shumica në Parlamentin Evropian”, thuhet në përgjigjen dërguar REL-it nga zyra e eurodeputetit Nemec.
“Qëllimi i raportuesit është që të miratohet kjo dosje në seancën e fundit plenare në prill dhe do të bëjmë përpjekje që kjo të ndodhë”, thanë nga zyra e Matjazh Nemec.
Nemec më 4 prill u emërua raportues i PE-së për ndryshimin e rregullores për liberalizimin e vizave për Serbinë, ku do të përfshiheshin edhe poseduesit e pasaportave të këtij shteti që kanë vendbanim në Kosovë, për të cilat pasaportat i lëshon Autoriteti Koordinues në Beograd. Poseduesit e këtyre pasaportave janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Zonës Schengen.
Pasi një vendim i tillë të miratohej nga PE-ja, atëherë për të do të duhej për të të kishte pajtim edhe në Këshillin e BE-së.
Në nëntorin e vitit 2023, Komisioni Evropian propozoi që të hiqen vizat për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë.
Por, Qeveria e Kosovës e ka kritikuar dhe kundërshtuar një vendim të tillë duke e quajtur “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”.
Qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta të Republikës së Kosovës e gëzojnë regjimin pa viza që nga 1 janari i këtij viti.
Por, nga ky vendim u përjashtuan ata qytetarë që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Autoriteti Koordinues, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ata u përjashtuan edhe kur u hoqën vizat për qytetarët e Serbisë, në dhjetor të vitit 2009.
Me vendimin për anulimin e vizave për Kosovën, qytetarët që kanë vetëm pasaporta serbe, mbeten të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzojnë regjim pa viza me vendet evropiane./REL