Kreu i opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili përfundoi në spital në gjendje të rëndë, ndërsa autoritetet gjermane thanë se ai u helmua, pohoi se ky akt ishte kryer nga Moska.

Në një reagim Navalny i kërkoi Moskës që t’ia kthente rrobat që ai kishte veshur ditën kur u helmua, pasi sipas tij aty gjenden “provat kryesore”.

“Para se të transportohesha drejt Gjermanisë, ata më hoqën rrobat dhe më dërguan krejtësisht të zhveshur. Duke qenë se në trupin tim ishte gjetur helm dhe se një infeksion kontakti ishte i mundur, rrobat janë provë materiale shumë e rëndësishme. Unë po kërkoj që rrobat të paketohen me kujdes në një qese plastike dhe të kthehen tek unë,”, pohoi Navalny nga Berlini, ku ndodhet ende i shtruar në spital.

Kujtojmë se Navalny, i cili u ndje keq gjatë një fluturim për në Rusi më 20 gusht, u shtrua si fillim në një spital në Siberi dhe më pas u transportua në Gjermani. Aty u verifikua se ishte helmuar nga një helm noviçok, një helm nervor i prodhuar nga ekspertët sovjetikë për qëllime ushtarake.