Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në kuadër të 8 Marsit, ditës së gruas, zhvilloi sot një vizitë në burgun e grave në zonën e “Ali Demit”.

Manja theksoi se po punohet për të krijuar standarde më të mira për gratë dhe vajzat e dënuara, ndërsa bëri me dije se së shpejti ky burg do të zhvendosen në një burg me standarde në Pogradec.

Ai theksoi se zhvendosja do të bëhet pas amnistisë.

“Ky institucion ofron kushte për trajtimin e grave, por jo në parametrat e duhura. Nuk janë kushtet të pabanueshme, as shumë të vështira, por ndodhte në një zonë të rrethuar nga ndërtimet. Janë kushte optimale por jo ato që duhen të jenë. Po shikohet mundësia e lëvizjes nga ky institucion. Është diskutuar zhvendosja në Pogradec. Atje godina është drejt përfundimit të mobilimit, brenda marsit mbaron mobilimi i brendshëm. Plotëson të gjitha standardet e trajtimit për të gjitha gratë dhe vajzat e dënuara. Por zhvendosja do të bëhet pas amnistisë”, tha Manja.