Presidenti Reçep Taip Erdogan ka udhëzuar avokatët e tij të ngrenë padi penale ndaj redaktorëve dhe gazetarit të një gazete greke me movitin “për fyerje të rëndë të kreut të shtetit turk”.
Kallëzimi u provokua të premten e kaluar, kur e përditshmja “Dimokratia”, për të denoncuar qëndrimet e Erdoganit rreth konfliktit për territoret greke në Mesdheun Lindor, hapi faqen e parë me një foto të liderit turk dhe përbri tij kryetitullin ofendues në turqisht dhe në anglisht.
Ministria greke e Punëve të Jashtme e dënoi gjatë fundjavës veprimin e gazetarëve dhe theksoi se megjithëse Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, Greqia nuk pajtohet me fyerjen e asnjë personaliteti apo individi, për më tepër një udhëheqësi të huaj.
Por në kallëzimin e vet në prokurorinë e Ankarasë, pala turke pretendon se objektivi ishte më i gjerë sesa vetë presidenti Erdogan.
“Shprehjet e përdorura në gazetën greke kundër Presidentit tonë janë një nga shfaqjet më të shëmtuara të një kolapsi dramatik të moralit. Kur sheh heshtjen e publikut grek, kuptohet që ky degradim nuk është i veçuar. Akti i neveritshëm nuk merr në shënjestër vetëm figurën e Presidentit, por njëherësh interesat e Kombit tonë, të cilat ai i mbron me vendosmëri në Mesdheun Lindor dhe në Detin Egje.”
Turqia dhe Greqia si dy vende aleate të NATO-s vijojnë përplasjet për rajonin lindor të Mesdheut.
Pas eksplorimit të njëanshëm të territorit për hidrokarbure për disa javë, javën e kaluar Turqia tërhoqi anijen e vet për të treguar se kërkon gjejë zgjidhje diplomatike për mosmarrëveshjem.
Nga ana tjetër, Ankaraja shtyu deri më 18 tetor operacionet e kërkimit për një tjetër anije turke afër zonës ekskluzive ekonomike të Qipros.
Kryediplomati qipriot të hënën kërkoi një qasje më të unifikuar të politikës së jashtme europiane për sa i përket hapave diplomatikë dhe sanksioneve ndaj Turqisë.
“Duhet të jemi konsistentë me reagimin ndaj çdo shkeljeje të vlerave dhe parimeve tona bazale. Nuk besoj realisht se ka ndonjë ngërç në diplomacinë tonë.”
Konflikti në Mesdheun Lindor dhe sanksionet e mundshme ndaj Ankarasë pritet të trajtohen gjerësisht të enjten dhe të premten në takimin e liderëve të Bashkimit Europian.