Gjermania do të hyjë në borxhe të reja në vitin 2021. Parashikimet flasin për 96,2 miliardë euro. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse parlamenti bën vlerësimin e gjendjes emergjente.
Me gojën kyçur deri në fund. Ministri gjerman i Financave Olaf Scholz nuk tha asnjë fjalë për sasinë e borxheve të reja, kur foli më 10 shtator për rezultatet e vlerësimit të taksave. Ai tha vetëm se “pa kredi në nivel të konsiderueshëm”, Federata nuk do të jetë në gjendja t’ja dalë mbanë në vitin 2021. Tani u bë publike shifra: 96,2 miliardë euro borxhe të reja ka planifikuar të marrë Scholz, mbas 217 miliardëve të marra këtë vit.
Në Ministrinë e Financave thuhet se edhe vitin e ardhshëm pandemia e koronës do të ketë pasoja të mëdha, por shprehet siguria, se Gjermania do të jetë në gjendje të menaxhojë krizën. Në fund të fundit, në krahasim direkt Gjermania ka kuotën më të ulët të borxheve mes vendeve të G7. Lapsi i kuq nuk është duke u përdorur ende, sepse Scholz nuk do që të kursejë gjatë krizës.
Edhe në vitin 2021 ai do të marrë para nga të gjitha burimet e mundshme, për ta mbajtur të durueshme pandeminë e koronës dhe për të nxitur konjukturën. “Të kushton më shumë të mos bësh asgjë,” thuhet në Ministrinë e Financave.
Gjendje emergjence sërish
96 miliardë euro borxhe të reja mund të marrë Federata, nëse parlamenti vendos sërish gjendjen e emergjencës, në mënyrë që të anashkalojë kufirin e vendosur për borxhet në Kushtetutë. Sipas tij, Federata dhe Landet lejohet parimisht të harxhojnë kryesisht atë çka marrin nga takstat. Kufiri maksimal i borxheve është 0,35 përqind e prodhimit të përgjithshëm bruto në vend (BIP). Në Gjermani kjo është në nivelin e 3300 miliardë eurosh. Borxhet e reja këtë vit janë në nivelin e 6,6 përqind të BIP dhe vitin e ardhshëm do të jenë 2,9 përqind.
Mbas 2022 duhet respektuar sërish kufiri i borxheve. Kjo do të thotë se kreditë e marra duhet të mos e kapërcejnë kufirin maksimal të borxheve. Por me sa duket buxhetet e viteve 2022 deri 2024 nuk do të jenë të ekuilibruara. Ministri i Financave do që borxhet e mbetura nga kriza e refugjatëve, në nivelin e 48 miliardë eurove t’i shpërndajë nëpër vite. Por as kjo nuk mjafton. Në planifikimet e buxheteve mbeten vrima të mëdha.
Për fundin nuk flet kurrkush
Në planin financiar për vitet 2022 deri 2024 mungojnë 42 miliardë euro. Se nga do dalin shumat e munguara, nuk e thotë njeri në Ministrinë e Financave. Nuk është e pamundur që boshllëqet të mbushen nga zhvillimi i koniunkturës, thuhet me optimizëm dhe një zëdhënës i Ministrisë së Financave shton: “Ne nuk kemi planifikuar të marrim masa për të mbyllur këtë deficit të krijuar nga të ardhurat dhe shpenzimet”. Në vjeshtë të 2021 zhvillohen zgjedhjet parlamentare, kështu që do të jetë detyrë e qeverisë së re të mbyllë vrimat e krijuara.
Projektbuxheti i vitit 2021 parashikon shpenzime prej 413,4 miliardë eurosh. 55 miliardë prej tyre parashikohen të jepen për investime, pra masa që kanë të bëjnë me të ardhmen, mbështesin koniunkturën dhe vendet e punës. Fushat kryesore janë paketa për klimën dhe ristrukturimi i industrisë në favor të klimës, nxitja e elektromobilitetit dhe teknologjive të hidrogjenit, shpenzimet për dixhitalizimin, nxitja e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë kuantike.
Pjesa më e madhe e investimeve prej 18, 6 miliardë eurosh do të shkojë për transportin. Megjithatë duhet ditur se Ministria e Transportit ka arritur vetëm në raste të rralla të shpenzojë deri në fund të vitit paratë e vëna në dispozicion. Ministri i Transportit, Andreas Scheuer ka pra shumë punë përpara.
Përkrahja sociale, Mbrojtja dhe Zhvillimi
Shumat më të mëdha të buxhetit jepen për shpenzimet për çështjet sociale. Për to është planifikuar gjysma e buxhetit. Për pagimin e pensioneve parashikohet vitin e ardhshëm të jepen 106 miliardë euro. Në një shoqëri në plakje kjo shumë do të arrijë në vitin 2024 në 119,4 miliardë euro. Sigurimi i bazës sociale për njerëzit që nuk kanë punë kap shifrën e 34 miliardë eurove.
Shpenzimet për mbrojtjen do jenë vitin e ardhshëm 46,7 miliardë euro, që përbën 1,51 përqind të BIP, pra më pak se shumat që thonë marrëveshjet e NATO-s, sipas të cilave duhet të jetë 2 përqind. Me 18,5 miliardë euro dhënë për ndihmat për zhvillim, Gjermania është vendi i dytë pas SHBA për dhënie ndihmash. /DW