Konferenca e Kryetarëve mblidhet sot në orën 13:30, kur pritet të diskutohet ngritja e dy komisioneve hetimore.

Shumica socialiste bashkë me Rithemelimin po tentojnë arritjen e një dakordësie e cila do t’i jepte fund kaosit të Parlamentit nisur që prej muajit tetor të vitit që lamë pas.

Socialistët janë shprehur të gatshëm që të negociojnë ngritjen e dy komisioneve hetimore nga ato që kërkon opozita.

Në takimet e javës së shkuar të mbajtur në zyrën e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, PS ka rënë dakord të shqyrtojë disa prej kërkesave të Rithemelimit bazuar në vendimin e gjykatës kushtetuese dhe ligjin e ri për komisionet hetimore.

Tejkalimi i bllokimit të parlamentit kalon përmes mekanizmave në Kryesinë e Kuvendit, ku platforma e propozimeve dhe diskutimeve, është Konferenca e Kryetarëve.