Vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së djeshme ku u vra me thikë në zemër 34-vjeçari Idajet Dulla.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi Arbër Kote, 26 vjeç, banues në Durrës.
Policia e Durrësit, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur, organizoi punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bëri të mundur zbardhjen, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Sipas policisë, 26-vjeçari Kote dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin Idajet Dulla, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje në zonën e Shkozetit, afër xhamisë me 4 minare.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.





