Kreu i Partisë Demokratike Zyrtare, Lulzim Basha, në një reagim të bërë së fundmi në Facebook, shprehet se marrëveshje mes PS dhe Rithemelimit, nuk është bërë për anëtarësimin e vendit në BE, por vjen si një “pazar me Berishën”.

Basha shkruan se kjo është bërë në mënyrë që “kriminelët të garojnë në zgjedhje, që del kundër SPAK dhe kundër hapjes së listave”.

Reagimi i plotë i Bashës:

Nuk është marrëveshje për anëtarësimin në BE, por është pazar i pastër mes rrangalleve të vjetra të tranzicionit, që duan të mbajnë peng Shqipërinë, duke ruajtur monopolin e sistemit, sepse vetëm ashtu mund të mbajnë njëri-tjetrin, sipas lojës 35-vjeçare, që i yti mishin të ha, por kockën ta ruan.

Sot nuk ka shqiptar që beson përrallat e Edi Ramës, i cili një ditë i quan idiotë ata që akuzojnë se po bën pazar, ndërsa të nesërmen vetë zyrtarizon pazarin me Sali Berishën, të cilin, kur s’i duhet e quan “Non grata”, ndërsa kur i hyn në punë, e quan partner për jetën parlamentare.

Pazari për të mbrojtur plaçkën e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, është i qartë, por përveç kësaj, së bashku ata duan edhe të zhbëjnë ligjin e dekriminalizimit, duke i hapur rrugë personave me precedentë penal dhe zyrtarëve të dënuar për korrupsion, që të kenë mundësi të kandidojnë në zgjedhjet e radhës. Edi Rama ka treguar se pa bashkëpunim me krimin e organizuar nuk mund të fitojë dot.

Ashtu sikurse të dy janë të interesuar për t’i bërë presion drejtësisë së re, e cila ka premtuar se nuk do të kursejë askënd, pavarësisht hierarkisë apo pozicionit të lartë shtetëror.

Partia Demokratike është e vendosur për një koalicion të gjerë me qytetarët dhe me të gjithë faktorët politikë që duan një Shqipëri të njerëzve dhe për njerëzit kundër kastës së vjetër 35-vjeçare të dinosaurëve të korrupsionit.