Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka parë nga afër rrugën Korçë-Ersekë, e cila është shembur dy hera brenda muajit.
Meta është shprehur se ai e ka paralajmëruar disa javë më parë, pasi kishte kaluar në atë aks, duke shtuar se kushdo që ka kaluar në atë rrugë e ka kuptuar që nuk ka lidhje me standardet e një rruge të re.
Ai shton se rruga mbart rreziqet për qytetarët, duke bërë thirrje që punimet në këtë rrugë dhe në rrugë të tjera si kjo të hetohen.
“Me vjen keq që ndodhem sot këtu, në të ashtuquajturën rrugë të re Korçë-Erseke, ku para dy ditësh ka ndodhur edhe shembja e dytë. Duke treguar edhe njëherë tjetër që nuk ishte rastësi shembja që ndodhi disa javë më parë dhe që e paralajmërova, sepse pati rastin ta bëjë këtë rrugë si shofer.
Kushdo që ka kaluar e ka kuptuar që kjo është një vepër që nuk ka lidhje me standardet e një rrugë te re, të qëndrueshme dhe të sigurtë.
Kjo është një rrugë që mbart rreziqe në çdo moment. Rrugët janë një nga mjetet kryesore te Ramës për të justifikuar vjedhjen e miliona eurove.
E domosdoshme te hetohen punimet në ketë rrugë dhe në rrugët e tjera. Ka pasur aksidente ku kanë humbur jetën qytetare, dhe janë manipuluar, pasi janë shkaktuar nga mungesa e cilësisë së rrugëve.
Këto qindra milion euro duhet të kishin shkuar për rritjen e pensioneve, për rritjen e pagave për mësuesit dhe të tjerët, në mënyrë që të rinjtë të mos ikin nga vendi.
Rrugët janë viktimat kryesore të korrupsionit. Këto rrugë nuk mbarojnë kurrë dhe çdo ditë gëlltisin qindra milion euro nga taksat e shqiptarëve, për llogari të Ramës dhe klientëve të tij”,-tha Meta.