Ish-presidenti, Bamir Topi ishte pjesë e tryezës së organizuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të mërkurë.

Në tryezën e dialogut, me temë “Harku Opozitar Euro-Atlantik”, Topi tha se nuk është pjesë e asnjë partie politike, por është dëshmitar se si u rrënuan themelet e shtetit pas një marrëveshjeje të errët në vitin 2008.

“Dua të sqaroj statutin tim në këtë tryeze, nuk jam pjesë e partive politike. Por për këtë çështje kam pasur rastin të njoh aktorët, protagonistët, e rrënimit të themeleve të shtetit nga pozicioni i kreut të shtetit në 2008. Është detyrim qytetar, intelektual, pasi zgjedhjet vërtetë realizohen si konkurrencë mes partive politike, por ata që janë burim i demokracisë janë njerëzit. Një zë i lirë individual është i rëndësishëm. Prilli i 2008-s erdhi shumë shpejt, pas një ngjarje tragjike, e kam fjalën për shpërthimin e Gërdecit. Kujtoj mirë një kryeministër në hall, një mazhorancë në hall, për përgjegjësinë dhe uljen e kredibilitetit si në mjedisin politik edhe në atë ndërkombëtar. Papritur vijën komunikime të nëndheshme të një marrëveshjeje të errët dhe okulte që paralajmëronte një shpërthim tjetër, atë të themeleve të shtetit, që parashikohej në Kushtetutë. Pas komunikimeve pashë që ishte një mur i lartë i ndërtuar nga njeriu në hall dhe nga tjetri që aspironte të ndërtonte pushtetin e tij të ardhshëm mbi dramën që po konsumohej. Paralajmërimin e parë e bëra më 15 prill 2008 duke thënë çdo të ndodhte pas atij ndryshimi. Ftoj të gjithë politikanët t’i rikthehen marrëveshjes, e cila është komplekse dhe shumëdimensionale. Dobësoi rolin e presidentit”, tha Topi.

“Sot ndodhemi më pak se një vit nga data fillestare e caktimit të zgjedhjeve, sipas kodit zgjedhor dhe në një moment tërësisht të parapërgatitur nga një pjesë tjetër e politikës, për t’i mohuar shqiptarëve, përfitimet e një reforme të vërtet zgjedhore. Nesër është afati i fundit i komisionit të reformës zgjedhore dhe nuk është e rastësishme që kjo tryezë dialogu me gjithë faktorët politik, partitë politike opozitare mbahet sot pikërisht si një kambanë jo për interesat e partive politike që përfaqësoni, por për interesat e shqiptarëve që edhe një herë rrezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale, përqendruan pushtetin dhe në këtë mënyrë dëmtuan jo pak funksionimin e demokracisë, llogaridhënien politike, rolin e parlamentit dhe vet përfaqësimin e interesave të qytetarëve”, tha Basha.