Gazment Bardhi i është drejtuar sot zyrtarisht Kuvendit që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhackës. Ky vendim nuk zbatohet prej 1 viti e dy muaj.
Nënkryetari i Rithemelimit, Bardhi shprehet se moszbatimi i vendimit vjen pas evidentimit të qartë të faktit se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik me firmë të Kryeministrit Edi Rama dhe kjo në kundërshtim me ligjin.
“Ky rast merr përmasat e një mbrojtjeje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK, nga ku ka rezultuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të dhe duke përfituar me dokumente të falsifikuara statusin e investitorit strategjik nga Kryeministri Edi Rama dhe të drejtën për të zhvilluar një projekt me vlerë 5 milion euro në fushën e turizmit.” – shkruan Bardhi.