Kundërshtari i Presidentit rus Vladimir Putin, opozitari Alexei Navalny është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe, kanë shkruar mediat e huaja ditën e sotme. Ky lajm është bërë me dije nga Sergei Erofeyev, profesor në Universitetin Rutgers në New Jersey.
Më tej ai tha se Navalny ishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe nga një grup shkencëtarësh nga disa universitete, por ai nuk i bëri të ditur emrat e tyre.
Nominimet për Çmimin Nobel për Paqe dorëzohen nga shtatori deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Ndërkohë në bazë të rregullave të Akademisë suedeze e cila e jep atë, shpallet zyrtarisht vetëm emri i fituesit, ndërsa emrat e kandidatëve 50 vjet më vonë.
Kreu i opozitës ruse është përballur me një situatë të rëndë më 21 gusht teksa po fluturonte nga Tomsk në Moskë, por pasi ka pirë një filxhan çaj ai është ndjerë shumë keq, saqë aeroplani është ulur me urgjencë në Omsk. Navalny u transferua nga Rusia për në Gjermani për një kurim më të shpejtë ndërsa tashmë ai ka dalë nga koma.
Pretendimet e zëdhënëses së tij se dyshohet të jetë helmuar është konfirmuar edhe nga raporti mjekësor në spitalin gjerman se opozitari rus është helmuar me çajin ku ishte hedhur lënda Novichok. Por sot është publikuar një version i ri për këtë çështje ku thuhet se aleatët e Navalny kanë zbuluar se helmi është hedhur në shishen e ujit në dhomën e hotelit ku ka qëndruar ai.