Kisha e shën Luçias, një nga perlat e pastudiuar ende plotësisht nga historianët dhe arkeologët e qytetit, vazhdon të rezervoj surpriza të bukura në lidhje me elementët që e përbëjnë atë.
Për shumë vite në fakt ka qenë mister origjina e një pikture të ndodhur brenda kishës dedikuar shenjtores nga Sirakuza emrin e të cilës mban edhe kisha. Studimet e bëra ndër vite nga kritikë dhe historianë arti e kanë datuar atë përafërsisht në shekullin e XIX por pa specifikuar saktësisht vitin. Gjithashtu edhe artisti apo origjina e saj ishin plotësisht të panjohura për qytetin dhe komunitetin katolik të Durrësit.
Piktura e cila pas viteve 1967 u magazinua pa kujdes dhe rrezikoi të prishej nga lagështia dhe insektet në një nga magazinat e diktaturës, sot na zbulon një histori interesante.
Kisha e shën Luçias është objekti më i vjetër i krishterë në qytetin e Durrësit. Ndërtimi i saj iu kërkua vetë sulltanit të Perandorisë Osmane në vitin 1856 nga komuniteti i vogël katolik i qytetit i cili asokohe ishte nën protektoratin e kurorës Habsburge.
Pak muaj më pas, në janar 1857, vetë sulltani Abdylmexhit I, përmes një fermani të posaçëm, jep lejen për ndërtim. Guri i parë u bekua nga Imzot d’Ambrosio me 20 tetor 1867 ndërsa punimet zgjatën deri në verën e vitit 1873 kur edhe u vendosën këmbanat e kishës.
Por përpara se në kishë të binin këmbanat e para aty kishte zbarkuar një dhuratë e mrekullueshme dërguar nga vetë perandoresha Elizabet, gruaja e perandorit austriak Franz Jozefit I, e famshme ndryshe në Europë dhe botë me emrin Sisi.
Lajmin e jep vetë gazeta vjeneze Brünner Morgenpost e datës 11 shtator të vitit 1869 me numër 207, faqa 1. Aty lexojmë: “Lajme nga oborri – Naltmadhënia e saj mbretëresha ka dhuruar për kishën e shuguruar të Durrësit, në tetor 1868, një figurë altari tek e cila paraqitet shën Luçia.”
Sisi e cilësuar si “femra me e bukur dhe e famshme e shekullit të XIX”, me shumë gjasë në një nga udhëtimet e shpeshta në Adriatik, duhet të kishte vizituar edhe Durrësin duke filluar nga vera e vitit 1861. Këtë të paktën sugjerojnë tërthorazi fondet e Bibliotekës Kombëtare Austriake të cilat mund të konsultohen edhe onlinë.
Durrësi në fakt ishte për familjen e Habsburgëve qyteti më i preferuar i bregdetit osman. Këtë mund ta dallojmë fare lehtë jo vetëm në marrëdhenien që ata kishin me familjen Tedeskini por edhe nga fakti se vetëm arkiduka Ferdinand Maximilian, i vëllai i perandorit Franz Jozef I, dhe bashkëshortja e tij Karlota, kunata e Sisi-t, e vizituan Durrësin plot 4 herë në 10 vjet.
Piktura 156 vjeçare e shën Luçias që sot mund të admirohet në Kishën e shën Luçias në Durrës është simboli i një marrëdhënie kurrë të shkëputur plotësisht midis Durrësit dhe Europës. Ajo është aty jo vetëm si dëshmi e së bukurës por edhe si një pjesë e rëndësishme (dhe fatkeqësisht e papromovuar!) e historisë së qytetit tonë./ Amfora