Gjurmë të lëndës së rrezikshme helmuese Noviçok janë gjetur në një shishe uji në dhomën e hotelit ku po qëndronte kryetari i opozitës ruse Alexei Navalny në qytetin siberian Tomsk.
Kështu pretendojnë bashkëpunëtorët e afërt të Navalny-t, të cilët thonë se ai është helmuar në dhomën e hotelit dhe jo në aeroport siç është deklaruar më parë.
Navalny u sëmur rëndë gjatë një fluturimi ajror në Rusi muajin e kaluar. Ai ra në gjendje kome dhe u dërgua në një klinikë gjermane të specializuar në Berlin.
Një javë më parë, Navalny doli nga koma dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas mjekëve gjermanë, në gjakun e Navalny-t u gjetën shenja të Noviçok, një agjent nervor helmues tepër i rrezikshëm, përdorimi i të cilit është i ndaluar.
Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka kërkuar Rusisë që të hetojë me përparësi helmimin e Navalnyt, ndërsa mbështetësit e këtij të fundit kanë akuzuar Presidentin Vladimir Putin se ka gisht në helmim.
Por Kremlini ka mohuar të gjitha akuzat e bëra për këtë çështje. Ndërsa Britania ka deklaruar se sulmi ndaj Navalny është bërë nga shërbimet e inteligjencës ruse.