Qyteti i Elbasanit është tronditur nga një tjetër vrasje mëngjesin e sotëm, ku shënjestra ka qenë vëllai i Talo Çelës, një nga grabitësit e 4.6 mln eurove në Rinas më 9 prill 2019.
Tre persona të veshur si policë kanë ekzekutuar me armë zjarri Bujar Çelën, teksa po konsumonte kafenë e mëngjesit në një lokal në fshatin Bradashesh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:45, ku 50-vjeçari, i cili punonte si taksist ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë, pak minuta pas ngjarjes është gjetur një makinë e djegur në fshatin Murras. Automjeti i djegur është i tipit ‘Renault’ me targa AA 876 D dhe dyshohet se i përket autorëve, një skemë kjo e përdorur edhe në ekzekutimet e tjera, për të humbur gjurmët.
Mësohet se zona është e monitoruar me kamera, për shkak se aty pranë janë tre karburante, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e të gjithë dinamikës së ngjarjes ose detaje që mund të çonin në identifikimin e autorëve.
Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit të Elbasanit. Në ndihmë të shërbimeve policisë së Elbasanit kanë ardhur dhe FNSH dhe RENEA, teksa vijon krehja e zonës.





