Koronavirusi vijon të përhapet në të gjithë botën duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha ekonomike. Referuar shifrave të përhapjes së pandemisë COVID-19, shumë vende të Europës po vendosin masa strikte kufizuese për të frenuar përhapjen e virusit.

Numri i të infektuarve në Europë shkoi në 4.8 milionë, sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Autoritetet në Francë, raportuan rreth 8 mijë raste të reja, duke e çuar totalin e të prekurve në mbi 433 mijë, ndërsa bilanci i viktimave shkoi në 31 mijë.

Duke marrë shkas nga piku i ri i pandemisë Marseja dhe Bordoja njoftuar masa të reja duke kufizuar numrin e personave që mund të mblidhen bashkë. Mbi 80 shkolla janë mbyllur përkohësisht në Francë pasi rezultuan raste të infektuarish me koronavirus.

Pas rritjes së nivelit të përhapjes, edhe Polonia ka shtuar masat kufizuese. Qeveria zgjati urdhrin për të ndaluar fluturimet ndërkombëtare me 31 shtete, përfshirë Francën, SHBA-të, Spanjën dhe Brazilin.

Edhe qeveria e Greqisë njoftoi shtimin e masave parandaluese në rajonin e Atikës, ku raportohet vatra më e madhe e përhapjes së infeksionit. Përdorimi i maskës do të jetë i detyrueshëm në ambiente të mbyllura dhe hapësira private ndërsa kinematë e teatrot do të operojnë me një maksimum prej 60% të kapacitetit.