Nga Bledar Kurti
Në fjalimet politike të shtetarëve të sotëm, në Shqipëri, por edhe në botë, dëgjojmë vazhdimisht të përmenden shprehje si “Qeveri e popullit, nga populli, për popullin,” apo “Një shtëpi e ndarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë,” etj.
Këto citime janë të marra nga fjalimet e Abraham Lincoln, Presidenti i 16-të i SHBA, i cili ishte edhe i pari ndër katër Presidentët Amerikanë të vrarë nga komplotistë e atentatorë. Më 14 prill, 1865, teksa qëndronte i ulur bashkë me bashkëshorten në lozhën e teatrit Ford, duke parë komedinë “Kushërira Ime Amerikane”, Lincoln u qëllua për vdekje nga John Wilkes Booth, një fanatik e radikal i Konfederatës, i cili ishte kundër politikave të Lincoln për heqjen e skllavërisë, emancipimin e afro-amerikanëve, dhe sigurimin e të drejtave të tyre civile për të votuar e qenë të barabartë në shoqëri.
Qysh gjatë garës presidenciale në vitin 1860, Lincoln e kishte deklaruar qartë se “Skllavëria është një e ligë njerëzore, shoqërore dhe politike,” dhe fitorja e tij, e rrjedhimisht ardhja në ofiqin e Presidentit, bëri shtetet jugore të SHBA, të cilat ishin pro-skllavërisë, të ndaheshin nga Shteti Mëmë, pra SHBA, e të krijonin Shtetet Konfederatë të Amerikës, duke zgjedhur Presidentin e tyre Jefferson Davis, e duke ngritur flamurin e tyre, të ndryshëm nga ai kombëtari e që mbetet edhe sot.
Kësisoj, nga ky akt, nisi edhe Lufta Civile Amerikane (1861-1865), e cila zgjati për pesë vjet e mori gjashtëqind e njëzetë mijë jetë amerikanësh. Përballja e shteteve veriore me ato jugore, Unioni kundër Konfederatës, përfundoi me kapitullimin e Konfederatës, e cila priste kushte të rënda ndëshkuese, por që në fakt iu kërkua vetëm të linin armët e të shkonin në shtëpi, pasi ata “të gjithë ishin amerikanë” e jo armiq. E kështu, pas vitesh të tmerrshme luftimesh e viktimash, SHBA i zgjidhi njëherë e përgjithmonë ndasitë e veta dhe u bashkua për të ecur përpara; iu përkushtua industrializimit dhe zhvillimit të vendit; forcoi nocionin e kombëtarisë e bashkimit; e iu kushtua rindërtimit dhe emancipimit.
Afro-amerikanët nuk arritën dot t’i merrnin plotësisht të drejtat e tyre, dhe racizmi e diskriminimi vazhduan edhe për një shekull tjetër, deri sa në vitin 1964, u firmos Ligji i të Drejtave Civile, që i siguronte atyre të drejta të plota e ndalte ndarjen shoqërore mbi baza racore. Një arritje e jashtëzakonshme me nismëtar Abraham Lincoln.
Abraham Lincoln vazhdon të renditet ndër liderët më të mirë në histori. Ai ishte karizmatik, e shquhej për aftësitë oratorike, vlerat e larta njerëzore dhe cilësitë e tij drejtuese.
Lincoln ishte i pashkolluar, ndaj ndër të tjera, shembulli i tij dëshmon se dashuria për dijen kapërcen formalizmat dhe vështirësitë, dhe se leximi e vullneti për të mësuar, mund ta bëjë një njeri të ditur e të edukuar. Ai mësoi vetë, në mënyrë autodidakte, e duke u thelluar edhe në jurispundencë, duke arritur të bëhej jurist në Illinois.
Rrallë gjenden sot drejtues shtetesh me peshë kaq të madhe dhe me personalitet kaq të theksuar si Lincoln. Ai arriti në krye të shtetit amerikan me një ide drejtimi të bazuar mbi shërbimin nga popullit e vendit e jo të imponimit politik e instinktit sundues. Në një letër të shkruar prej tij më 1 korrik të vitit 1854, vite përpara se të zgjidhej President i SHBA ai komentoi kështu mbi qeverisjen e mirë:
“Qëllimi i vërtetë i qeverisjes është të bëjë për njerëzit, çdo gjë që ata duan por nuk munden dot ta bëjnë aq mirë sa duhet, as individualisht, e as të gjithë bashkë.” Pra, një qeveri shërbyese e jo shfrytëzuese, kjo ishte qasja e Lincoln, e shumë shtetarëve të tjerë të historisë, prej të cilëve kemi shumë për të mësuar.