Nga Andi Bushati
Ka një detaj të vogël, në pamje të parë të papërfillshëm, që tregon më mirë se gjithçka se përse Rama e hoqi qafe, ministren e arsimit, Besa Shahinin. Në bisedën e tyre të fundit në kryeministri, teksa ajo po i’a kalonte detyrën deputetes së Elbasanit, Evis Kushit, ish anëtarja e qeverisë i thotë kryeministrit, se këtej e tutje ajo do të angazhohej për një të majtë të re, jo demagogjike.
I ndërgjegjshëm se ishin përpara kamerave, Rama u përpoq të korrigjonte aq sa mundej: “E majta jonë pra”, ia ktheu ai duke dashur të mos rëshkasë asnjë shenjë keqkuptimi kritik mes tyre.
Në fakt, keqkuptimi është më i madh dhe atë e dëshmon qoftë edhe një fakt i vetëm. Pak ditë më parë, Besa Shahini, doli në ekranin e Euronews dhe njoftoi se nuk do të kandidonte në zgjedhjet e ardhshme duke u larguar madje nga Shqipëria. Ajo mori guximin, minimal për çdo vend të botës demokratike, por krejt të patolerueshëm për standardet e qeverisë së rilindjes, të thoshte pa leje dhe hapur atë që mendonte.
Ajo i kishte kryer të gjitha detyrimet e saj si anëtare e kabinetit. E kishte informuar më parë kryeministrin për këtë vendim, i kishte shprehur rezervat e saj që nuk i bëri kurrë publike, për mungesën e idealizmit tek i cili ajo kishte besuar, për zhbërjen e vlerave të së majtës, për ndërhyrjen në punësime të burokratëve të partisë, që ajo refuzoi naivisht deri në fund t’i pranonte si shefa.
Por, ndonëse asgjë prej këtyre vërejtjeve nuk e tha me zë të lartë, duke u fshehur pas arsyejeve personale, vetëm fakti se shpalli me kokë të saj largimin, pa i lënë udhëheqësit, kënaqësinë që ta flakte jashtë kabinetit, u shndërrua në një ndëshkim për të.
Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që një ministre, që ka dëshmuar se nuk është prekur si shumë të singjashëm të saj nga sëmundja e protagonizmit, të deklarojë vetëm pak ditë më parë se do të qëndrojë në post deri në pranverën e ardhshme dhe menjëherë pas kësaj të detyrohet të lërë karrigen.
Ky është realisht thelbi i asaj që ka ndodhur.
Besa Shahini nuk ishte dhe nuk është as një disidente, as një kundërshtare e Edi Ramës. Madje, nga një pozicion radikal, ajo sot mund të stigmatizohet dhe kritikohet se hyri në qeverinë e tij, kur kësaj të fundit i kishte dalë boja me kohë, për paaftësi, korrupsion dhe mungesë aspiratash.
Ajo u konformua me këtë kabinet, bëri sikur besonte në reformat që ai do të vazhdonte, në zbatimin e “paktit për universitetin”, në zgjedhjet farsë të rektorëve të universiteteve.
Pra e thënë në një fjalor popullor, ajo punonte për Edi Ramën dhe i shërbente atij.
Por, në qeverinë e rilindjes, kjo është e pamjaftueshme. Sepse aty të mos venerosh liderin dhe mos i thurësh lavde atij është e barabartë me një mëkat.
Mes kolegesh që njëra e thërret shefin Skënderbe, tjetra “brandi i Shqipërisë në botë” dhe dikush tjetër e prezanton si artist të përmasave ndërkombëtare, Besa Shahini qe një mish i huaj.
Nga fundi i mandatit të saj ajo qe e vetmja që nuk e lejonte Ramën të bënte humor me të në mbledhjet e kabinetit dhe që refuzonte të përdorte si njësi matëse të vetmin kut që ka vënë rilindja, atë të likeve në Facebook dhe të kronikave televizive fallco.
Këto ishin krimet e saj, të cilat i pagoi me çmimin e një largimi, që pati po aq mungesë transparence dhe përfilljeje të publikut sa ç‘ishte edhe emërimi i saj.
Vetëm për kaq, ajo u ndëshkua.
Jo se ishte kundër Ramës, por se kërkonte, që me aq sa mundësi kishte, të qe vetvetja. Jo se nuk donte vazhdimsinë e pushtetit të rilindjes, por se shpresonte që në këtë mision të mos shërbente si një ushtare qorre. Jo se gegërishtja e saj nuk përputhej me stilin e pasardhësit të Nolit, por se e shkuara e saj e bënte ta përbuzte politikën spektakël.
Këto “lukse” të vogla, që kanë të bëjnë më shumë me personalitetin e njeriut sesa me vizionin e tij, asaj nuk ia duruan. Atë e shkarkuan pasi hapi rrugën dhe pranoi vetë se do të ikte.
Rama e preu Shahinin në besë, pasi ata patën rënë më parë dakord, se ajo do të vazhdonte deri në fund të mandatit. Kjo qe “tradhtia” e fundit që mund ti bënte. Një goditje se guxoi të vepronte pa leje. Një ndëshkim se tentoi sadopak të respektonte vetveten, një një mjedis ku të gjitha janë në garë, për hosana gojore ndaj liderit. /Lapsi.al