Zjarre të mëdha që kanë shpërthyer në perëndim të Shteteve të Bashkuara, kanë mbuluar zona të mëdha të Kalifornisë, Oregonit dhe Uashingtonit me re tymi, që kanë nxitur evakuimin e banorëve nga frika se mund të ketë numër të madh të viktimave.
Deri më tani raportohen mbi 30 viktima që kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve. Gjysmë milion njerëz në Oregon më 12 shtator janë urdhëruar që të largohen nga shtëpitë e tyre, që t’i ikin zjarreve dhe ajrit të ndotur. Ndërkaq, personat që kanë vendosur të mos largohen, janë udhëzuar që të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi dhe të mbyllin dritaret. Shërbimi Kombëtar i Motit ka publikuar fotografi satelitore ku shfaqet një re masive e tymit, që gjendet përgjatë Bregut Perëndimor e që arrin deri në Oqeanin Paqësor.
Zjarret vazhduan të përhapen më 12 shtator, por me një ritëm më të ngadaltë sesa në fillim të javës. Në Kaliforni, aktualisht janë 28 zjarre të mëdha aktive që kanë djegur mbi 2 milionë hektarë tokë. Deri më tani, 20 persona kanë vdekur në Kaliforni që prej se zjarret shpërthyen në mes të muajit gusht dhe më shumë se 4,000 shtëpi janë djegur. Në Oregon, të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe mijëra shtëpi janë djegur. Disa qytete të vogla janë shkatërruar plotësisht.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të vizitojë Kaliforninë më 14 shtator për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga zjarret, njoftoi Shtëpia e Bardhë.