Moria, kampi më i madh i refugjatëve në Europë është bërë shkrumb e hi. Gati 13.000 refugjatë janë në rrugë. Europa është e shokuar dhe pret. Një reportazh nga ishulli Lesbos.
Me mosbesim Patrique shikon gardhin me tela me gjemba. Jo larg tij, ndarë me gardhe, organizata e OKB-së, UNHCR po ngre çadra për refugjatët. Qeveria greke ka premtuar ndihmë të shpejtë, pas djegies së kampit Moria. “Ato pak gjëra që kisha u dogjën”, thotë Patrique. Prej 11 muajsh 42 vjeçari nga Angola është në Lesbos. Për të ky vit është një vit ferri. “Qeveria duhet të na ndihmojë tani. Duhet të na çojnë në Athinë, në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër në Europë.” Kampi me çadra që po ngrihet para syve të tij nuk është zgjidhje për Patrique. “Për dy javë do ndodhë e njëjta gjë. Ata do të vënë sërish zjarr.” Në vendin e tij, ai dhe familja e tij janë përndjekur, thotë ai. “Ata do të më vrasin edhe mua. Prandaj jam këtu. Kam nevojë për mbrojtje.” Në Greqi ai nuk sheh të ardhme.
Pa strehë dhe ushqim
Më tutje shihen autobusët blu të policisë. Kurse pas tyre përgjatë rrugës kryesore që të çon në kryeqytetin e ishullit, Mytilini shtrihen mijëra vetë të pastrehë. Familje, nëna me fëmijë, madje edhe të porsalindur kërkojnë një vend në hije. Temperaturat janë mbi 30 gradë gjatë mesditës. Vetëm disa prej refugjatëve kanë çadra që janë ofruar nga organizatat humanitare. Të tjerë janë përpjekur me degë e gjethe të krijojnë kasolle të vogla. Eksodi dhe jeta prej vitesh në Moria i ka mësuar ata të improvizojnë diçka për të mbijetuar. Megjithë miliardat e BE që i shkojnë qeverisë greke, ata duhet t’ia dalin këtu pa ndihmë.
Dy të rinj luajnë volejboll. Nga një zorrë e çarë rrjedh uji. Një radhë e gjatë me refugjatë pret me shishe që të marrë ujë. Gratë kanë lidhur gjethet dhe i kanë bërë fshesa duke u përpjekur të pastrojnë strehën provizore nga pluhuri. Tualete nuk ka, njerëzit shkojnë për të kryer nevojat e tyre diku jashtë. Të paktën organizatat humanitare kanë shpërndarë ujë. Ushqimi mungon. Një i ri afgan thotë, se “sot kam ngrënë vetëm një biskotë.” Ndërsa një ndihmëse vullnetare, që shpërndante ushqimin e përgatitur vetë të enjten në mbrëmje, rrëfen se “ushtria vjen në orën 14:30 për të sjell ushqimin, por ai nuk mjafton për të gjithë. Shpërndarja e ushqimit nuk është e organizuar.”
Për organizatat humanitare gjendja nuk është e lehtë. Që prej përplasjeve të marsit të kaluar, kur dhuna e banorëve vendas u drejtua kundër gazetarëve dhe organizatave humanitare, shumë prej tyre janë larguar nga ishulli. Madje presioni është rritur edhe për organizatën “Mjekë pa kufi”. Pas rënies së zjarrit, situata është veçanërisht kritike, thotë Faris Al-Javad nga kjo organizatë. “Por pikërisht tani njerëzit kanë nevojë për ne.”
Dështimi i BE
Erik Marquardt, eurodeputet i Të Gjelbërve në Parlamentin Europian është i mendimit, se Europa i la në një gjendje shumë të padurueshme njerëzit në Lesbos. “Më kujtohet mirë viti 2015, kur këtu kishte një gatishmëri të madhe të popullsisë. Aty u kuptua se nevojiteshin struktura, për të cilat nuk ishte menduar më parë, për të përballuar situatën.” Tani situata është ndryshe. Eurodeputeti Marquardt thotë se “BE nuk ia ka dalë të ngrejë një sistem, që siguron strehë, arsim, ushqim, por edhe mbrojtje nga zjarri.”
Vetëm kështu ka qenë e mundur, që persona të veçantë të venë zjarrin dhe të djegin plotësisht kampin. “Ne i kemi bërë njerëzit viktima në kufijtë e jashtëm.” Për ndihmën e menjëhershme, eurodeputeti propozon të përdoren anijet. “Ka shumë kroçera që prej muajsh qëndrojnë bosh, ato mund të merren me qira dhe të zhvillohet një koncept higjiene. Këtu do të kishe mijëra dhoma gati dhe mundësi karantine.”
Në këtë kohë duhet që shtetet e BE të vetëdijësohen për përgjegjësinë e tyre, thotë ai. “Ne nuk mund të kërkojmë një zgjidhje europiane dhe në të njëjtën kohë të mos e zgjidhim problemin.” Sipas Marquardt edhe qeveria gjermane duhet të bëjë më shumë. Qeveria gjermane e ka të shënuar në marrëveshjen e koalicionit, se do të marrë 180.000-200.000 vetë në vit. “Por prej dy vitesh ajo dështon në plotësimin e këtij detyrimi. Vitin e kaluar erdhën 139.000 refugjatë, këtë vit akoma më pak. Edhe sikur këtë vit të merren 27.000 refugjatë, që ndodhen aktualisht në ishujt grekë, nuk do të arriheshin kapacitetet e pranimit që i ka vënë vetes koalicioni i madh.” /DW