Dr. Bledar Kurti
George Washington, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, u inaugurua këtë ditë, më 30 prill 1789 në Sallën Federale në New York, duke bërë premtimin për “një qeveri të re dhe të lirë.”
Presidentit të ri dhe qeverisë së re i nevojitej një kryeqytet i ri ku do ulej qeveria e do qeverisej vendi. Ky qytet do merrte emrin e Presidentit George Washington.
Pavarësisht se George Washington ishte Presidenti i vetëm që nuk jetoi në Washington D.C dhe as në Shtëpinë e Bardhë, ai zgjodhi tokën dhe mbikqyri personalisht me fanatizëm planifikimin urban të kryeqytetit amerikan. Në të gjendet një përzierje e simboleve dhe kulturave botërore, qytetërimeve antike dhe filozofive të lashta e të kohës.
Për të kuptuar stilin më të veçantë të shpikjes njerëzore një njeri duhet të pyesë veten se “Çfarë shikoj? Çfarë kuptimi ka?”
Arkitektura e Washington D.C. është ilustrim i dukshëm dhe i prekshëm i filozofisë së etërve të shtetit amerikan. Dhe ata nuk ishin njerëz të zakonshëm por personalitete gjeniale, polimathë, me dije e ekspertizë në shkencë, histori, filozofi, diplomaci, letërsi, gjuhësi, matematikë, fizikë, etj.
Simbolizmi pamor dhe arkitektonik janë deklarata, një gjuhë shpallje dhe mesazhi për njerëzit dhe kombet, kësisoj kryeqyteti i shtetit të ri duhej të ishte simbol i madhështisë por edhe përçues i dijes së epokave.
Kryeqyteti i SHBA është i përcaktuar në Kushtetutë. Neni 1, Paragrafi 8 i Kushtetutës së SHBA përcakton një territor që nuk kalon dhjetë milje katror për të shërbyer si vendndodhja e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
District of Columbia u emërua nga një komitet i ngritur nga Presidenti Washington në vitin 1791. “Columbia” është version femëror i mbiemrit të Cristopher Columbus, i idealizuar si një hero nga etërit amerikanë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Më 12 tetor 1792, dita e 300 vjetorit të mbërritjes së Colombus në kontinentin e ri, u festua dita e parë e Ditës së Colombus. Një ditë më pas, me 13 tetor, u zhvillua ceremonia e vënies së gurit të parë për Shtëpinë e bardhë e cila përfundoi pas vdekjes së George Washington.
Kryeqyteti amerikan është një katror perfekt prej dhjetë miljesh. Guri i qoshes i Federal District u vendos më 15 prill, 1791. Katrori nuk ishte rastësi pasi kjo formë gjeometrike simbolizon integritetin moral, barazinë, drejtësinë, dhe ndershmërinë. Gjithashtu qëndron si simbol i egzistencës fizike të katër elementëve: zjarri, ajri, toka, dhe uji.
E gjithë arkitektura e Washington D.C është e bazuar në simbolika dhe elementë antik. Pothuajse çdo ndërtesë publike e kryeqytetit mori frymëzimin nga arkitektura greke, romake, dhe ajo e Rilindjes evropiane.
Arkitektët e parë të Washington D.C. ishin William Thornton dhe Benjamin Latrobe. Arkitekti Latrobe i dha natyrën joniane, dorike, dhe korintase elementëve të ndërtesave publike të Washington D.C., të cilat, si “urdhra arkitektonik” përfaqësojnë mençuri, forcë, dhe bukuri.
Në Washington D.C. manifestohen qendrat më të hershme urbane të Mesopotamisë, lugina e Nilit, Indet, Lumi i Verdhë, Azia Juglindore, Amerika Qendrore, Roma, Athina e lashtë dhe Afrika Perëndimore.
Bazuar mbi këto vendbanime të lashta edhe Washington D.C. e bazoi orientimin në të katër drejtimet kardinale, elementët qendrore monumentale si tempujt, pallatet, piramidat, obeliskët, altarët, dhe bulevardet e kortezhit të cilat i lidhnin këto vende me pushtetin dhe organizimin shoqëror.
Projektimi i këtyre ansambleve u lidh me parimin e lashtë “Çfarë është në qiell, reflektohet në tokë.” Ndaj edhe urbanistika e kryeqytetit amerikan mbart lidhjen midis universit, realitetit qiellor dhe qytetit tokësor.
Lidhja midis tokës dhe qiellit, ishte edhe për të kërkuar miratimin hyjnor për përfitime të ndërsjellta, dhe për të siguruar qëndrueshmëri në një botë aq të paqëndrueshme. Për të zgjeruar horizontet e njeriut përtej së zakonshmes, duke e përshtatur me stabilitetin e universit. Monumentalizmi urban ishte përpjekje e vetëdijshme për t’u bërë pjesë në qëndrueshmërinë e rendit të universit, duke krijuar iluzionin dhe duke transmetuar mesazhin te kombet e tjera që fuqia dhe rendi i këtij qyteti është i përjetshëm.
Gjithashtu, godina e Capitol Hill, Kongresi Amerikan, është një përmbledhje simbolesh me qëllimin për të reflektuar idealet republikane të shprehura përmes “Novus Ordo Seclorum” të unitetit politik, lirisë dhe demokracisë.
Shtetet e Bashkuara nisën një rend të ri që do të zinte vendin e korrupsionit dhe botës së rënë të vjetër, Evropën që pelegrinët e parë kishin lënë pas. Pra, Njeriu i Ri në kontrast me Njeriun e Vjetër evropian. Trajektorja e historisë kombëtare ishte drejt një mijëvjeçari ku shembulli amerikan i lirisë do të ripërtërinte të gjithë botën.
Çdo godinë apo hapësirë publike në Washington D. C. përmban një mesazh epokal. Për shembull, Libraria e Kongresit është një nga ndërtesat me simbolika të shumta. Te njëri prej afreskeve, në katin e dytë të murit verior të librarisë është shkruar një varg biblik, marë nga Fjalët e Urta 4:7, “Dituria është gjëja më kryesore në jetë. Ndaj merre diturinë dhe do t’i kuptosh të gjitha.” Në po të njëjtin kat gjendet një afresk tjetër, por marë nga William Shakespeare, Vepra Henri IV, Pjesa II, Akti IV, Skena 7, “Injoranca është mallkimi i Perëndisë, ndërsa dituria na jep krahët që na çojnë për në parajsë.” Në po të njëjtin kat të Librarisë së Kongresit, por në Sallën e Leximit të Anëtarëve të Kongresit, gjendet një afresk tjetër që ilustron rrjedhën e njerëzimit. Në këtë afresk është figura e Historisë e cila në njërën anë ka Mitologjinë dhe nga ana tjetër Traditën.
Në Ndërtesën e Gjykatës Supreme, në një nga relievet është gdhendur Moisiu, Confucius, filozofi kinez (551-479 para Krishtit) dhe Soloni, ligjvënësi grek (638-558 para Krishtit). Gjithashtu janë të gdhendur edhe një lepur dhe një breshkë, ilustrim i një prej fabulave të Ezopit “Lepuri dhe Breshka” e cila si moral ka që ligjet nuk duhen bërë me shpejtësi por me durim.
Urbanistika dhe simbolika e qytetit të ri i shërbyen ndërtimit të një shtet të ri, qeverisje të re, shoqërie të re, të mbështetur mbi dijen e kohërave dhe vlerat e mbarë rrugëtimit njerëzor mbi të cilat do ulej, punonte e shërbente qeveria federale e SHBA. Por, mbi të gjitha, ajo që përbënte thelbin e mbarë shoqërisë amerikane ishte barazia. “Amerikanët janë aq të apasionuar pas barazisë saqë do të preferonin të ishin të barabartë në skllavëri sesa të pabarabartë në liri,” shkroi Alexis de Tocqueville, pasi udhëtoi në SHBA në shekullin e 19-të.
Dhe kjo e vërtetë dëshmohet në çdo pëllëmbë të Washington D.C, ku çdo individ nga çdo komb i huaj do gjejë gjurmë të historisë dhe identitetit të vet.