Policia e Kosovës ka arrestuar një person dhe ka kërkuar informacion mbi një tjetër pas skandalit të ndodhur në rrjetin social Tik-Tok ku dy të dyshuarit kanë detyruar një fëmijë që të tregojë organin e tij gjenital pas humbjes së një loje me dënime.

Mësohet se fillimisht, policia e Kosovës ka arrestuar një person të njohur në Tik-Tok me pseudonimin “Valmir Bossi” ndërsa është shpallur në kërkim personi tjetër me pseudonimin “Fire”, emri i vërtetë i të cilit mësohet të jetë Xhemal Uka.

Ky i fundit, shtetas i Shqipërisë, rezulton të jetë i dënuar për vjedhje në Francë dhe aktualisht ndodhet i arrestuar duke vuajtur dënimin.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Sektori Rajonal i Hetimeve DRP Pejё, ёshtё duke zhvilluar hetime intensive pёr kapjen e personit tё dyshuar pёr veprën penale “Shtytja nё kryerjen e veprës penale degradimi i integritetit seksual”.

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftim.

Uka ka mbërritur në Francë në vitin 2020 kur ka bërë një kërkesë për azil me arsyetimin se i rrezikohej jeta në Shqipëri pasi në vitin 2015, kishte plagosur me thikë një efektiv policie. 

Ndaj tij, në vitin 2022 Gjykata e Caen ka caktuar dënimin me 4 vite burg për veprën penale të vjedhjes së bizhuterive me vlerë deri në 94 mijë euro.