Presidenti francez Emmanuel Macron priti sot homologun kinez Xi Jinping në Paris, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore dy ditore në Francë. Mosmarrëveshjet tregtare dhe përpjekjet diplomatike për të bindur Pekinin të ushtrojë ndikimin e tij mbi Moskën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pritet të jenë në qendër të vëmendjes. Në takimin e sotëm në Paris ishte e pranishme edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Të dy zyrtarët evropianë në takimin trepalësh folën për marrëdhënie të ngrohta midis BE-së dhe Kinës, ndonëse tensionet janë shtuar pasi disa sektorë kinezë po hetohen nga Bashkimi Evropian, përfshirë ai i makinave elektrike. Presidenti Macron, mbrojtës i fortë i sovranitetit ekonomik të Evropës, tha para takimit se fillimisht do të diskutohej për mosmarrëveshjet tregtare, për të patur “një tregëti të drejt“ dhe më pasa do të flitej për luiftën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
“Së pari do të trajtojmë marrëdhëniet evropiano-kineze, për të diskutuar çështjet tregtare si qasja në tregje dhe kushtet e konkurrencës së ndershme, investimeve dhe zhvillimit”, tha Presidenti francez.
“Kina i sheh gjithmonë marrëdhëniet me BE-në nga një perspektivë strategjike dhe afatgjatë. Ne e konsiderojmë Evropën partner të rëndësishëm në realizimin e modernizimit kinez. Shpresoj që marrëdhëniet Kinë-Francë dhe marrëdhëniet Kinë-BE do të promovojnë njëra-tjetrën dhe do të zhvillohen së bashku”, tha Presidenti Xi.
Franca shpreson gjithashtu të bindë Kinën të përdorë ndikimin e saj mbi Moskën për të kontribuuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Presidenti rus Vladimir Putin pritet të vizitojë Kinën këtë muaj. “Ne do të diskutojmë Ukrainën dhe situatën në Lindjen e Mesme, dy kriza të mëdha ku koordinimi mes nesh është absolutisht vendimtar”, tha Presidenti Macron.
Zoti Macron, sipas një zyrtari të Presidencës frenceze, do të bëjë presion ndaj zotit Xi për furnizimet nga kompanitë kineze për industrinë e mbrojtjes ruse pavarësisht sanksioneve të BE-së. Kina thotë se është neutrale në konfliktin e Ukrainës. Franca gjithashtu dëshiron që Kina të mbajë të hapur dialogun me Kievin, shtoi zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
Vitin e kaluar, Presidenti Macron i bëri thirrje Presidentit Xi që të “ndihmojë Rusinë të kthjellohet”, por thirrja nuk u pasua nga ndonjë veprim konkret nga Pekini.
Disa organizata, përfshirë ‘Fushata Ndërkombëtare për Tibetin’ dhe ‘Liga e të Drejtave të Njeriut të Francës’ i kërkuan Presidentit Macron që të vendoste çështjet e të drejtave të njeriut në qendër të bisedimeve të tij me homologun kinez. Protestuesit demonstruan në Paris ndërsa Presidenti Xi mbërriti të dielën në Paris, duke bërë thirrje për një Tibet të lirë.
‘Amnesty International’ i bëri thirrje Presidentit Macron të kërkojë lirimin e profesorit të ekonomisë, pjesëtarin e minoritetit ujgur Ilham Tohti, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Kinë në vitin 2014 me akuzat për promovim të separatizmit dhe lirimin e aktivistëve të tjerë të burgosur. Gjatë një interviste të publikuar të dielen, Presidenti Macron tha se do të ngrejë shqetësimin e tij për të drejtat e njeriut.
Vizita shtetërore e Presidentit kinez në Paris shënon 60-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe pason udhëtimin e Presidentit francez Emmanuel Macron në Kinë në vitin 2023. Parisi është ndalesa e parë në udhëtimin evropian pesë ditor të Presidentit Xi gjatë të cilit do të qëndrojë edhe në Beogradit dhe më pas në Budapest.
Diskutimet do të ndiqen nga afër edhe nga Uashingtoni, një muaj përpara se presidenti Joe Biden pritet të udhëtojë drejt Parisit për vizitë./Voa/