Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Ferizaj, pasi që dyshohet se kanë tentuar t’i godasin me traktorë policët që janë përpjekur t’i ndalojnë pasi që kishin vërejtur tre traktorë të ngarkuar me lëndë drusore.
Përmes një postimi në Facebook, Policia ka bërë me dije se dy të dyshuar janë arrestuar, e një ka arritur të arratiset.
“Policia ka arritur që të arrestojë dy prej tyre, ndërsa gjatë arrestimit i kanë rezistuar policisë dhe dy pjestarët e policisë kanë pësuar lëndime trupore, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor në Qendrën Emeregjente në Ferizaj, e më pas janë liruar. Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit rajonal me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuria Themelore në Ferizaj janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa në kërkim policor është edhe personi i tretë. Si prova materiale janë sekuestruar dy traktorët me drunjë dhe tri motorsharra”, thuhet në njoftim.