“Dita e dyerve të hapura” solli në shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës me dhjetëra nxënësve të klasave të IX nga shkollat e qytetit.
Me 5 degët e saj, njohjen e diplomave brenda dhe jashtë vendit, por edhe punësimin e rreth 80% të nxënësve, që në vitin e parë, kjo shkollë mbetet një alternativë mjaft e mirë, për të gjithë ato adoleshentë të fokusuar drejt profesioneve të ndryshme.
Për Erjon Alushin, ndjekja e degës së Detarisë është një traditë familjare, e trashëguar prej brezash.
“Kemi punuar si kapiten, marinar, ndihmës. Rrogat janë shumë të mira dhe unë ndoqa traditën”,- thotë ai.
Njësoj si Erjoni, edhe Onid Braho ndjek degën e Detarisë dhe prej dy vitesh është i punësuar si ndihmës agjent.
“Puna ime është ndihmës agjent. Konsiston në ndihmesën që u japim anijeve që vijnë nga jashtë e nuk kanë përfaqësues. Meqë jam i ri në moshë dhe pa shumë eksperiencë nuk merrem me punë të rëndësishme. Puna është shumë e bukur, dalim edhe në det”,- thotë ai.
Ndërsa Erjola Islami, nxënëse e vitit të tretë në degën Hoteleri – Turizëm ka 3 vite e punësuar. Për të, zgjedhja e kësaj dege dhe kësaj shkolle ka qenë zgjedhja e duhur.
“Jam shumë e kënaqur që ndjek këtë shkollë. si mësuesit, si drejtoresha janë të gjithë shumë të mirë. Na kanë mësuar një zanat.”
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare u njohën nga stafi pedagogjik i “Beqir Çelës” me avantazhet që kanë nëse zgjedhin këtë shkollë profesionale.
Ndjekja e një arsimi profesional mbetet për shumë të rinj një alternativë mjaft e mirë për mësimin e një zanati, por ndihma e ofruar edhe nga strukturat shtetërore shihet si një bonus më shumë për t’u orientuar drejt këtij arsimi.
“Ne kemi bashkëpunim me universitetet dhe me bizneset apo anijet e peshkimit, si dhe Kapitanerinë e portit, por edhe bashkinë e Durrësit. Nxënësit tanë dalin marinarë të kualifikuar dhe zv/mekanik. Nga ana tjetër, dega e detarisë ka dhe një bursë prej 60.mijë lekë të reja që i jepet nxënësve që nga viti i parë deri në vit të katërt”,– thotë Florian Çali, profesor i degës së Detarisë dhe Navigimit.
“98% e nxënësve janë të punësuar pranë bizneseve në drejtime të ndryshme, kryesisht hoteleri, kuzhinë, restorante apo recepsion”,- shton profesori i degës Hoteleri – Turizëm, Gabriel Zaka.
Marrëveshjet e shumta mes shkollës dhe bizneseve në fushën e hoteleri-turizmit, konfeksioneve etj mundësojnë praktikat profesionale pranë subjekteve private dhe njëkohësisht punësimin e garantuar të nxënësve.
“Numri i nxënësve që erdhën dhe vizituan ambientet e shkollës sonë ishte shumë i kënaqshëm dhe shpresojmë që në periudhën e regjistrimeve të kemi sa më shumë regjistrime”,– deklaron drejtoresha e shkollës Blerina Dervishi.
Pranë kësaj shkolle studiojnë 830 nxënës, nga të cilët 420 në degën e hoteleri – turizmit.
M.B.