Konsumi i pijeve alkoolike në rrugë, tashmë është i ndaluar në katër zona famëkeqe të festave në Majorka e në Ibiza, dy ishujt spanjollë të njohur për pushimet në plazh. Kjo në kuadër të një përpjekjeje për të zbutur sjelljen antisociale të turistëve të huaj.
Ligji i ri hyri në fuqi një ditë më parë, pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare. Kjo do të thotë se katër zona famëkeqe të festave, si “Playa de Palma” në Majorka do të kenë ndalime publike të pijeve në pjesët e plazheve e të territoreve publike.
Pushuesit dhe vendasit që kapen me një shishe birrë, për shembull do të përballen me një gjobë të majme që “vret” e që do të variojë në vlerën nga 500 deri në 1 mijë e 500 euro, siç përcakton një dekret përkatës.
“Dekreti për Turizmin e Përgjegjshëm prek zonat e plazhit si, Palma dhe Llucmajor në Majorka, duke përfshirë vendpushimin gjerman të pushimeve “Playa de Palma”, si dhe zonën britanike të festave “Magaluf”. Kjo vlen edhe për “Sant Antoni de Portmany” në Ibiza.”
Secila prej këtyre zonave nuk do të mbetet pa gjë, por do të marrë nga 4 milion euro në vit në lidhje me zbatimin e dekretit. Paratë parashikohet të vijnë nga të ardhurat e mbledhura prej taksave turistike. Por, tarracat e bareve e të restoranteve, si dhe të tjera vende të autorizuara enkas për konsumimin e alkoolit, janë të përjashtuara nga ndalimi.
Po ashtu, pijet alkoolike ende mund të shërbehen në varkat e shumta të festave të ishujve. Vetëm se dallimi është se duhet që tani të mbajnë një distancë prej 1 milje detare (1,85 kilometra) nga zonat e prekura.
Përveç kësaj, mjetet lundruese nuk lejohen më të marrin ose të lënë të ftuar apo vizitorë në këto zona. Shoqata e Hotelierëve në Majorka, FEHM reagoi në mënyrë pozitive e tha se kjo do të ndihmonte për t’i dhënë fund “turizmit të pacivilizuar”.