Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar sot se letra e autoriteteve të Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës, me të cilën premtojnë se deri në fund të muajit do ta dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, është një tjetër mashtrim nga Prishtina.
“Ky është një truk tjetër që Albin Kurti dhe ndihmësit e tij, përfshirë Gerald Knaus dhe lobistë të tjerë, po e realizojnë së bashku”, pretendoi ai.
“Kush jeni ju që do të dorëzoni tekstin tuaj. Marrëveshja e Brukselit thotë qartë se duhet të bëhet nga menaxhmenti serb ose të jetë ajo që të paktën konceptualisht kemi rënë dakord të jetë BE. Është truk pasi anglezët po u bëjnë presion të gjithëve që të pranojnë anëtarësimin e Kosovës në KE”, u shpreh Vuçiç.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin dy herë në dialogun mes vete nën ndërmjetësimin e BE-së, më 2013 dhe më 2015.
Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.
Deri më tani, për themelimin e Asociacionit janë prezantuar disa draft-statute, përfshirë një të Bashkimit Evropian fundvitin e kaluar, por edhe nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).