Toni Kroos ka vendosur t’i japë lamtumirën futbollit. Vendimin e marrë mesfushori 34-vjeçar e ka bërë të ditur me një postim të gjatë në Instagram.

“Karriera ime si futbollist do të përfundojë këtë verë pas Kampionatit Europian. Siç e kam thënë gjithmonë: Real Madridi do të jetë klubi im i fundit. Dita kur erdha këtu ndryshoi jetën time. Nuk do ta harroj kurrë këtë periudhë suksesi. Dua të falënderoj në veçanti të gjithë ata që më pritën me zemër të hapur dhe patën besim tek unë. Por mbi të gjitha dua t’ju falënderoj ju të dashur madridistë, për dashurinë dhe mbështetjen tuaj nga dita e parë deri në ditën e fundit. Ambicia ime ka qenë gjithmonë të përfundoj karrierën time në majë të nivelit tim të performancës. Tani e në vazhdim ka vetëm një mendim që më drejton: të fitoj trofeun e 15 të Champions! Hala Madrid”, shkruan Kroos, i cili i ka kaluar dhjetë sezonet e fundit me “Los Blancos”.

Pas njoftimit nga mesfushori gjerman, erdhi edhe reagimi nga klubi i tij.

“Real Madrid dëshiron të shpreh mirënjohjen dhe dashurinë e tij për Toni Kroos, një lojtar që tashmë është pjesë e historisë së Real Madridit dhe që është një nga legjendat e mëdha të klubit tonë dhe të futbollit botëror”.

Nuk munguan përshëndetjet nga Florentino Perez: “Toni Kroos është një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e Real Madridit dhe se ky klub është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia e tij”, tha presidenti Perez.