Dy shqiptarë të akuzuar për prodhimin e kanabisit në Britaninë e Madhe janë dënuar me nga tre vjet burg. 

Dy shqiptarët Xh. Leka, 28 vjeç dhe Gj. Braculla, 40 vjeç, u ndaluan më 24 maj në Lowther Street të Whitehaven. Fillimisht agjentët kishin pikasur një furgon të dyshimtë në zonë. Shoferi 28-vjeçar Leka, u përpoq të arratisej, pasi policët shkuan për të folur me të.

Ai u ndalua në një autostradë ndërsa furgoni ishe mbushur plot me rrënjë kanabisi. Bashkëpunëtori i tij në krim, 40-vjeçari Braculla u gjet brenda një makine tjetër në zonë teksa flinte gjumë.

Sipas autoriteteve, dy shqiptarët ishin kujdesur për mbi 772 bimë kanabis rreth 60 fidanë të vegjël në një fabrikë droge të sofistikuar. Policia ka përllogaritur se fitimet nga ky operacion i jashtëligjshëm do të shkonin në gjysmë milioni Paund.

Dy shqiptarët kishin humbur punët në ndërtim dhe ishin përfshirë në punë të paligjshme për të mbajtur veten dhe familjet përkatëse.