Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro është shprehur se këtë vit ndoshta Shqipëria mund të presë deri në 15 milionë turistë.

Gjatë fjalës së saj në konferencën “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurtë”, Kumbaro tha se sfida e këtij sezoni turistik është si të ruajmë standardin e sigurisë.

”Të përballojmë më sukses industrinë e turizmit, është prioritet absolut i gjithë shoqërisë. Shteti ka rolin e vet, vendori të vetin dhe sektori privat dhe bashkëveprimi mes palëve ka bërë atë që është suksesi i 2023-shit. Sfida është shumë më e madhe nga ajo që e mendonim. Po të shkojmë përtej Kosovës që përbëjnë 65% të turistëve që vizitojnë gjithë zonën e Lezhës, por që në fakt gjithmonë e më shumë po zbresin dhe në Sarandë, Vlorë e Himarë edhe si blerës të pronave në këto territore.

Të gjithë turoperatorët njoftojnë që kanë të lidhura, të paguara, të mbyllura kontratat 45% më shumë se sa viti i kaluar për të njëjtën periudhë, i njëjti nga konfirmohet nga flukset turistike që kanë hyrë në 4 muajt e parë. Janar-Prill u mbyll me 40% më shumë se e njëjta periudhë, më shumë se vitin e kaluar. Do të përballemi me 14 milionë, ndoshta 15 milionë. Sfida jonë si do të ruajmë standardin e sigurisë”, tha ajo.

Kumbaro është shprehur se janë hapur 34 qendra shëndetësore për sezonin turistik që punojnë 24 orë për t’i bërë ballë fluksit.

”Paketa e sigurisë që ka të bëjë me atë shëndetësore, rrugore, duhet të ecin si një paketë e përbashkët. 34 qendra shëndetësore që punojnë 24 orë janë hapur për sezonin turistik, më shumë se asnjë vit për të bërë ballë fluksin që kemi. Një pjesë e mirë e turistëve që lëvizin nëpër rrugë vijojnë më këmbë nëpër shtigjet malore. Për të përballuar aksidentet që ndodhin, ministria ka certifikuar më shumë se 600 udhërrëfyes. Të gjithë operatorët t’i nxisin dhe t’i bëjnë me dije turistëve të huaj të shoqëruar nga udhërrëfyesit që njohin shtigjet dhe territorin”, shtoi Kumbaro.