Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë “arrest me burg” për Lubjana Gjeçaj, e dënuar në Itali për përfshirje në organizatë terroriste.

BalkanWeb raporton se masa e sigurisë për të është dhënë me qëllim ekstradimin në Itali.

“Kam dijeni per vendimin e dhënë ndaj meje në Itali. Kam dashur të shkoj, të vuaj dënimin por s’më ka lejuar shteti italian. Do bëj kërkesë ta vuaj dënimin këtu pasi i kam fëmijët të mitur.”, ka thënë Gjecaj, nëna e 3 fëmijëve e cila dyshohet si pjesë e një celule terrori që rekrutonte vajza për t’i martuar me luftëtarët e ISIS.

43-vjeçarja, pas kthimit nga Italia, ishte vendosur në zonën e Unazë së Madhe në Tiranë, ku jetonte me fëmijët e saj të mitur, ndërsa ishte shtëpiake.

Nga hetimet e kryera nga policia italiane, në bashkëpunim me atë shqiptare, Gjeçaj, ishte pjesë e bandës që u arrestua në korrik të 2015-ës, në kuadër të operacionit “Martesa” që u zhvillua në Itali, Lushnjë, dhe Kanada.

Thuhet se grupi terrorist në fjalë, gjente të rinj dhe i martonte ata në Turqi, e më pas i dërgonte ushtarë pranë ISIS. Tashmë pritet ekstradimi i 43-vjeçares drejt shtetit italian.