Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny ka dalë të hënën nga gjendja e komës dhe ka reaguar ndaj thirrjeve të mjekëve.
Lajmin e ka bërë të ditur spitali gjerman ku ai po mjekohet që kur u dërgua në Berlin muajin e kaluar, pasi humbi ndjenjat gjatë një udhëtimi nga qyteti siberian i Tomskut drejt Moskës.
Sipas njoftimit të spitalit të kryeqytetit gjerman, gjendja e Navalnyt po përmirësohet dhe ai po merr frymë pa ndihmën e aparaturave. Ndërkohë, është ende herët për të matur efektet afatgjata të helmimit, kanë deklaruar mjekët.
Më herët gjatë muajit, vetë kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se nga testet toksikologjike kishte rezultuar se Navalny ishte helmuar nga një agjent nervor i llojit Noviçok, i njëjti që u përdor për të helmuar ish-agjentin rus Sergei Skripal dhe të bijën në vitin 2018 në Angli.
Nga ana e saj, Moska zyrtare pretendon se nga ekzaminimet e mjekëve rusë nuk janë gjetur gjurmë helmimi. Incidenti ka vënë në dyshim të ardhmen e projektit gjermano-rus “Rrjedha e Veriut 2”, me shumë zyrtarë që bëjnë thirrje anulimin e projektit, derisa Rusia të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të helmimit të Navalnyt.