Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se përgjegjësi i vetëm për korrupsionin në Shqipëri është Edi Rama. Në një konferencë për shtyp, Meta teksa komentoi rezolutën e PS antikorrupsion, tha se detyra e vetme e opozitës është që të vazhdojë betejën pa kompromis.

Ky regjim- u shpreh Meta- ka nevojë për një të shtyrë që të rrëzohet në greminë dhe “këtë të shtyrë, nuk do t’ja kursejmë”.

“Jemi të qartë, i vetmi përgjegjës në Shqipëri për të gjithë këtë korrupsion galoponte është ai që kontrollon timonin dhe gjitha tepsitë që quhet Edi Rama. Kështu që ai ta gëzojë komisionin, detyra e opozitës është të vazhdojë betejën e saj të pa kompromis.

Betejë e pandalshme deri në çrrënjosjen e këtij regjimi dhe ky regjim do bjerë një greminë, do një të shtyrë dhe ne këtë të shtyrë nuk do ja kursejmë”, tha Ilir Meta.

Ndërsa i pyetur pse nuk po zhvillohen takime me partitë opozitare për aksionin kundër qeverisë, Meta kishte këtë përgjigje:

“Partia e Lirisë është në krye të aksionit opozitar, çdo ditë. E ka nisur nga vetja vazhdon të përmirësojë organizimin e saj përballë një makinerie që duhet shpartalluar me çdo çmim dhe kjo kërkon një organizim me efikas  se deri tani”.