Zyra e Prokurorit Federal në Belgjikë tha se policia ka kryer kontrolle në rezidencën e një punonjësi të Parlamentit Evropian (PE) dhe në zyrën e tij në ndërtesën e Parlamentit në Bruksel, për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse. Përmes një deklarate, prokurorët thanë se zyra e të dyshuarit në Strasburg të Francës, ku gjendet selia e PE-së, po ashtu u kontrollua në partneritet me agjencinë e Bashkimit Evropian për bashkëpunim gjyqësor, Eurojust, dhe me autoritetet gjyqësore franceze.

Bastisjet u kryen më pak se dy javë para se të mbahen zgjedhjet për Parlamentin e ri të Bashkimit Evropian nga 6 deri më 9 qershor. Muajin e kaluar kryeministri i Belgjikës, Alexender De Croo, kishte njoftuar se ishte kryer një hetim. Ai tha se shërbimi i inteligjencës kishte konfirmuar ekzistencën e një rrjeti që po tentonte të minonte mbështetjen për Ukrainën.

“Kontrollet janë pjesë e rastit për ndërhyrje, korrupsion pasiv dhe anëtarësim në një organizatë kriminale dhe lidhet me indikacionet e ndërhyrjes ruse, ku anëtarët e PE-së janë kontaktuar dhe paguar për të promovuar propagandën ruse përmes ueb-faqes së lajmeve, Zëri i Evropës”, thanë prokurorët. Prokurorët thanë se besojnë që i punësuari ka luajtur “rol të rëndësishëm” në këtë rast.

BE-ja gjatë këtij muaji ua ka ndaluar Zërin e Evropës dhe tri media tjera ruse transmetimin në bllokun prej 27 anëtarësh. BE-ja tha se këto media janë nën kontrollin e Kremlinit dhe po shënjestronin “partitë politike evropian, veçmas gjatë periudhës zgjedhore”. Që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, BE-ja ka suspenduar edhe Russia Today dhe Sputnik dhe disa media të tjera. De Croo tha muajin e kaluar se hetimi tregoi se anëtarët e PE-së ishin kontaktuar dhe u ishin ofruar para për të promovuar propagandën ruse.

“Sipas shërbimit tonë të inteligjencës, objektivët e Moskës janë shumë të qartë. Objektivi është që të ndihmohet në zgjedhjen e më shumë kandidatëve prorusë në PE dhe të përforcojë një narrativë të caktuar prorus në këtë institucion”, tha ai. Shtetet e BE-së kanë dhënë armë dhe ndihmë tjetër për Ukrainën në vlerë prej miliarda eurosh. BE-ja po ashtu ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të lartë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, ndaj bankave, kompanive dhe sektorit të energjisë që kur nisi lufta në Ukrainë.