Shqipëria U-21 do të luajë ndeshjen e shtyrë ndaj Malit të Zi U-21, e cila u ndërpre për shkak të kushteve atmosferike më 7 qershor në orën 20:00, në stadiumin “DG Arena” të Podgoricës.

Ndeshja e vlefshme për eliminaotret e “Euro 2025”, do të rinisë nga minuta e 27-të.

Gjithashtu është arritur dakordësia që Shqipëria U-21 të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore me Lihtenshtejnin më datë 11 qershor në orën 19:00, në stadiumin “Niko Dovana”.

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka shpallur edhe listën me emrat e 23 lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e qershorit. 13 lojtarë vijnë nga klubet e kampionatit shqiptar, kurse pjesa tjetër aktivizohen në kampionatet jashtë vendit.

Inline image

Medon Berisha dhe Simon Simoni pjesë e Kombëtares në listës paraprake për finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”?- Simoni ka qenë pjesë e ekipit A gjatë disa seancave stërvitore, ndërsa Berisha është për herë të parë. Kemi pasur bindje që do të shkonte shumë herët në ekipin A por shkoi më herët se sa pritej. Për ne ka qenë lojtar deçiziv, me personalitet dhe ftesa është mëse e merituar. Kur e kam kontaktuar për herë të parë i premtova shiritin e kapitenit. Ja premtova sepse shihja që kishte shumë personalitet në fushën e lojës, ishte një lider dhe e meritoi plotësisht. Unë i uroj shumë urime dhe shpresoj që ta kemi në ndeshjen tonë me Malin e Zi.

Antzelo Sina si e binde për të ardhur në Kombëtare?- Në radhë të parë është shqiptar dhe normal që zgjedhja e parë mendoj unë që është Shqipëria pavarësisht që kemi pasur disa raste që kanë zgjedhur edhe Greqinë. Është një portier i talentuar dhe mendoj që do të bëjë mirë me Shqipërinë. Është datëlindja 2004 dhe do e kemi në dispozicion në ndeshjen e dytë pasi nuk do të luajë në ndeshjen e parë, atë ndaj Malit të Zi, pasi na lejohet të kemi vetëm ata lojtarë që kishim në fushë para se takimi të ndërpritej, kjo është rregullorja e UEFA-s. Jemi pak në vështirësi pasi do kemi vetëm 12 lojtarë në dispozicion. Nëse do fusim 11-të në fushë i bie që të kemi vetëm një në stol. Më duket diçka e çuditshme, por nuk na lejojnë që të bëjmë zëvendësime të tjera. Rëndësi ka që ne duam të fitojmë, sepse janë tre pikë shumë të rëndësishme për ne. Tani ne kemi 10-të pikë dhe janë edhe tre ndeshje në lojë dhe 19-të pikë unë mendoj që janë vendi i parë ose i dytë, kështu që matematikisht ne duhet të jemi deri në ndeshjen e fundit në lojë, por çdo gjë kalon nga ndeshja me Malin e Zi. Pavarësisht se kemi edhe një ndeshje në Zvicër që është një kundërshtar i fortë por dikur na ka mundur edhe Austria 0-4, por ne shkuam në Austri dhe i mundëm 1-5. Prandaj dua të them që kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe lojtarët duhet ta dinë shumë mirë që nuk kemi shumë kontigjent për këtë ndeshje dhe duhet të japin të gjithë maksimumin.

Ndeshja do të rinisë aty ku u ndërpre, sa rritet shkalla e vështirësisë? – Nuk mendoj se përbën shumë problem për mua, por për lojtarët edhe mund të jetë pak e vështirë, pasi janë të rinj.  Mbaj mend kur ne merrnim ftesën për të luajtur me Kombëtaren, nuk na zinte gjumi, por kohët kanë ndryshuar. Flamuri duhet të vlerësohet, siç e kanë vlerësuar ata që luajnë në ekipin A që janë kualifikuar sot, si Cikalleshi, Uzuni, Muja apo Muçolli, të cilët edhe pse nuk janë pjesë, përsëri e respektojnë vendimin e trajnerit. Në këtë ditë të vështirë në të cilën jemi ne, duhet të kishim të gjithë lojtarët. Për sa i përket formës së lojtarëve, ata kanë luajtur para 20 ditësh, dhe kur luan për Kombëtaren, adrenalina rritet, motivacioni bëhet shumë i madh dhe mund të përballohet ndeshja pa asnjë problem.

Gruda, Hasa e Vata, mos ndoshta Kombëtarja U-21 nuk mjafton? –  Po të shikojmë lojtarët që ka ekipi A sot, kanë ardhur në ekipet zinxhirë të kombëtares së Shqipërisë.Këta që përmendi ju mos kujtoni se nuk janë kontaktuar. Të gjithë janë kontaktuar, nuk ka lojtarë shqiptarë që nuk është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Gjithsesi është zgjedhje personale pastaj, zgjedhje me zemër që secili e bën si të dojë. Ne është luks t’i kemi në ekip ato emra që thatë ju, por është zgjedhje e tyre personale. Kur bëhet fjalë për një talent shumë të madh e kuptoj që mund të shkosh në Kombëtare A direkt. Pastaj kur bëhet fjalë për një lojtar, le të themi shumë i mirë, ka potencial, zhvillimi tij mund të jetë shumë i mirë por nuk e dimë. Kështu që duhet ta tregojë njëherë veten te moshat e Shqipërisë, sidomos tek ekipi U-21”.