Nga dritarja e protestës që nuk ndalet prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi Komisioni “Xhafa” që u miratua nga socialistët këtë të enjte në Kuvend është është hipokrizia më e madhe e kohërave!

Kjo, tha Berisha, ishte një javë e errët për parlamentin shqiptar!

PJESË NGA FJALIMI I BERISHËS

Qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të kauzës së drejtë, një përshëndetje të përzemërt ju, oratorëve të kësaj platforme lirie, të këtij parlamenti lirie. Mirënjohje të pakufishme për qëndresën tuaj.

Të dashur miq, kjo javë ishte një javë e errët, e zezë për parlamentin shqiptar. Këtë javë, parlamenti vendosi të ngrejë komisionin Xhafa kundër korrupsionit. Hipokrizia më e madhe e kohërave ngjet me ministrinë e virtytit të talebanëve të Afganistanit.

Miqtë e mi, beteja kundër korrupsionit dhe vjedhjes së shqiptarëve është betejë për ekzistencën e kombit.

Në kushtet kur Shqipëria, çdo kryeministër që ndjehej i pazhytur, i papërlyer, akti i parë që bënte komisionin kundër korrupsionit ia dorëzonte opozitës.

Ta kryesonte opozita, të vendoste opozita. Kush e bën korrupsionin? Korrupsionin e bëjnë ata që kanë pushtetin. E bëjnë qeveritarët dhe zyrtarët. Po cila opozitë e kam fjalën? Të dashur miq, në historinë e këtij vendi, beteja e PD kundër korrupsionit do të mbetet një nga betejat më të suksesshme në historinë e një vendi.

Më lejoni të rikujtoj pasi harresa është normale. Me ardhjen në pushtet në vitin 2005, PD ndërmori një betejë me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.

Kjo parti amendoi ligjin e konfliktit të interesit, ligjin i cili nuk lejonte më kurrë që pushtetarët të ndanin pasuritë publike me familjarët, me njëri-tjetrin, me rrethin e tyre. PD nxori administratën jashtë konfliktit të interesit.

Vendosi sistemin dixhital të prokurimeve. Vetëm nga ky sistem u ul me 40 përqind kostoja e prokurimeve publike. Miqtë e mi, gjërat janë harruar.

Por natyrisht janë këto arritje, të cilat na bëjnë ne të vendosur, besimplotë për t’i dhënë korrupsionit goditjen më fatale. Të dashur miq, lexoni pak raportin e Transparency International të vitit 2008. Çfarë thotë ky raport?

Ky raport thotë: Shqipëria u rendit në garën botërore të luftës kundër korrupsionit.

Ky raport thotë se Shqipëria u rendit në dhjetë vendet e para në botë për suksesin e luftës kundër korrupsionit.

Ky raport thotë se Shqipëria në turravrap la mbrapa nga pozicioni i saj 43 vende dhe në rang botëror 85 vende për treguesin e korrupsionit. Miqtë e mi, beteja kundër korrupsionit ishte beteja e jetës së Sali Berishës dhe qeverisë së tij.

Me këtë betejë, ne arritëm të dyfishojmë të ardhurat. Të dyfishojmë rrogat. Të dyfishojmë pensionet.

Në këtë betejë, ne arritëm të ndajmë epokat. Shqipëria kaloi në vitin 2008 nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në të cilin kishte lënguar dekada dhe shekuj, e nxorëm në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Në këtë betejë brenda dy viteve, 2008-2009, u ndëshkuan 630 zyrtarë për veprën e korrupsionit. Gërshëra e ligjit ishte e pamëshirë.