Estonia e konsideron veten një shtet të vijës së parë, një anëtar i NATO-s, ku rojet e saj kufitare shikojnë përtej lumit Narva në kështjellën ruse të Ivangorod.
Ky shtet i vogël baltik, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, është i bindur se sapo të ndalojnë luftimet në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin do ta kthejë vëmendjen e tij drejt Balltikut, duke kërkuar të kthejë vende si Estonia përsëri nën kontrollin e Moskës.
Për të ndihmuar në shmangien e kësaj mundësie, qeveria e Estonisë ka derdhur para dhe armë në përpjekjet e Ukrainës për të triumfuar në mbrojtjen ndaj Rusisë, duke dhuruar më shumë se 1% të PBB-së së saj në Kiev.
“Nëse çdo vend i NATO-s do ta bënte këtë, Ukraina do të fitonte ” thotë kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas.
Por Ukraina nuk po fiton.
Pa artileri, municione, mbrojtje ajrore dhe mbi të gjitha, trupa, Ukraina po përpiqet të mbajë peshën e madhe të fuqisë së zjarrit rus, bombave dhe sulmeve masive të këmbësorisë.
Kallas, është pyetur nga gazetarët se cili është plani B i vendit të saj, nëse Ukraina humbet luftën dhe pushtimi i Rusisë përfundimisht ka sukses.
“Ne nuk kemi plan B për një fitore ruse, sepse atëherë ne do të ndalonim së fokusuari në planin A, duke ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë pushtimin rus. Ne nuk duhet t’i dorëzohemi pesimizmit. Fitorja në Ukrainë nuk ka të bëjë vetëm me territorin. Nëse Ukraina i bashkohet NATO-s, atëherë kjo është një fitore sepse ajo do të vendoset nën ombrellën e NATO-s”, tha ajo.
Shumë estonezë janë gjithashtu më pak se të kënaqur me taksat që rriten për të paguar për kontributin e tyre në mbrojtjen e Ukrainës. Por Kaja Kallas dëshiron që Perëndimi të zgjohet me atë që ajo e sheh si një kërcënim ekzistencial nga një Rusi e re agresive.