Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur sot lidhur me raportet mes saj dhe kryeministrit Albin Kurti.

Para mediave ajo tha se nuk ka luftë politike me Kurtin e askënd tjetër dhe se çdo problem është i tejkalueshëm kur në diskutim është interesi kombëtar.

“Nuk ka luftë politike, si president luftoj vetëm për një gjë kushtetutshmërinë. Kur vendoset interesi shtetëror çdo dallim është i tejkalueshëm.

Cili ka qenë dallimi dihet. Tash është e domosdoshme që të gjitha institucionet, partitë, bashkërisht të ulemi dhe të diskojmë për çështjet e interes nacional. Këto tema nuk janë detaje të parëndësishme, gjithë e duam Kosovën, kur ulemi së bashku dhe vendosim së bashku, domosdoshmërisht rezultati do jetë i mirë…

Përtej dëshirës dhe vullnetit e kam edhe detyrë kushtetuese ta mbroj Kushtetutën”, tha ajo.

Osmani u shpreh se ajo nuk mban raporte personale me asnjë nga partitë politike, ndërsa shtoi se bashkëpunon me të gjitha institucionet për interes të qytetarëve.

“Nuk ka pasur raport Osmani-VV, presidentja nuk mban raport VV, raporti është ndërinstitucional, është detyrë e gjitha institucioneve të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve.

Duke u bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve. Nuk ka lidhja partiake ndonjë rëndësi. Ajo për të cilën angazhohem është raporti korrekt në përputhje me kushtetutën dhe interesin e Kosovës… nuk besoj ndonjëherë në histori të Kosovës, një president me vullnet kaq të madh që të bashkëpunoj me Qeverinë Kuvendit, partitë që përfaqësojnë qytetarët, se vullneti që e kam dhënë unë”, tha ajo.