Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalimit të tij mbrëmjen e sotme para mbështetësve poshtë pallatit tha se drejtimi i Shqipërisë nën udhëheqjen e Edi Ramës është drejtimi i zhbërjes së shqiptarëve nga Shqipëria. Kreu i PD-së theksoi se e gjithë rritja e popullatës në 74 vite u fshi nga faqja e dheut në 8 vite të qeverisjes së Edi Ramës. Më tej Berisha tha se në një hark kohor 8-vjeçar, vetëm në hapësirën e BE u larguan rreth 1 milion shqiptarë dhe qindra mijëra të tjerë për në SHBA, Kanada dhe vende të tjera të botës.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, qëndrestarë dhe qëndrestare, misionarë të një kauze të drejtë. Mirënjohje më të pakufishme, nderimin më të madh para jush për qëndresën tuaj të pamposhtur në mbrojtje të interesit kombëtar, në mbrojtje të të ardhmes së kombit shqiptar dhe të Shqipërisë që po rrënohet çdo ditë në kthetrat e pamëshirë të një narkoshteti që vjedh në mënyrë të papërmbajtur dhe ndajnë me njëri-tjetrin pasuritë publike të këtij vendi, ndajnë me familjet e tyre, kurse shqiptarëve u lënë si alternativë rrugët e botës dhe largimin.

Të dashur miq, për çdo njeri që e ndjen veten shqiptar, që i thotë vetes shqiptar, pas lajmeve që lidhen me atë, familjen, të cilat urojnë të jenë gjithnjë pozitive, nuk ka lajm më të hidhur për atë, nuk ka lajm më të hidhur për një gjeneratë të tërë se sa lajmi i rrokullisjes së Shqipërisë në honet e historisë, shpopullimit të saj, zhbërjes së saj nga bijtë dhe bijat e vet. Në shekuj ne jemi gjenerata që patëm fatin tragjik në raport me kombin të shohim para syve tanë se si në një hark kohor 8-vjeçar, vetëm në hapësirën e BE u larguan rreth 1 milion shqiptarë dhe qindra mijëra të tjerë për në SHBA, Kanada dhe vende të tjera të botës.

Me këtë politikë genocidale ndaj shqiptarëve, Edi Rama meriton çdo ndëshkim më të rëndin penal dhe të çdo lloji. Drejtimi i tij është pra drejtimi i shpërbërjes së kombit shqiptar. Drejtimi i Shqipërisë nën drejtimin e tij është drejtimi i zhbërjes së shqiptarëve nga Shqipëria. Qytetarë dhe qytetare, sot numri i shqiptarëve në Shqipëri ka zbritur në nivelet e 70-80 viteve më parë. Por nivelet e 70-80 viteve ishin nivelet e pas një lufte, pas luftës më të egër që kishte njohur njerëzimi gjer atëherë. Kurse e gjithë rritja e popullatës në 74 vite u fshi nga faqja e dheut në 8 vite të qeverisjes së Edi Ramës,” tha Berisha.