Zërat për një transferim të mundshëm të turkut Hakan Calhanoglu te Bayerni i Mynihut, kanë trazuar jo pak ambientin te Interi, megjithatë ka qenë vetë fantazisti ai që ka shuar njëherë e mirë tensionin. Nëpërmjet një postimi nga Gjermania, ku po udhëheq Turqinë e tij në Europian, Calhanoglu u ka premtuar besnikëri zikaltërve, duke theksuar se objektivi i tij është të fitojë të tjerë trofe me Interin. Calhanoglu ka bërë të qartë se e ka parë të nevojshme të ndërhyjë vetë për të shuar zjarrin mediatik që po ndizej mbi një transferim të mundshëm të tij te Bayerni i Mynihut.

“Jam maksimalisht i lumtur te Interi. Raporti që kam vendosur me klubin dhe tifozët tanë fantastikë, është i jashtëzakonshëm. Së bashku kemi arritur objektiva të rëndësishëm dhe jam i bindur që mund të fitojmë trofe të tjerë në të ardhmen”, shkruan ndër të tjera Calhanoglu. Fantazisti turk ka mbyllur komunikatën e tij duke theksuar se aktualisht është i përqendruar te Europiani me Turqinë, teksa ky reagim ka lumturuar jo pak edhe shokët e tij të skuadrës te Interi, të cilët e kanë komplimentuar në rrjetet sociale.