Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama për Komisionin Antikorrupsion.

Bardhi përmes një postimi në Facebook, shkruan se lufta ndaj korrupsionit ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë.

Ai shtoi më tej se Komisioni nuk është as rruga dhe as mjeti për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mirëqeverisje.

Bardhi tha se e vetmja rrugë për mirëqeverisje dhe luftë reale ndaj korrupsionit është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që sipas tij arrihet vetëm me largimin e qeverisë nga pushteti dhe kryeministrit. 

Rama tha në mbledhjen e grupit të PS, se “komisioni është ngritur për të qenë një hapësirë jashtë perimetrit të luftës parlamentare, qoftë kjo luftë në sallën e seancave apo në komisione.

Është një hapësirë ku nuk bëhet politike dite, po ku të gjithë ata që janë brenda këtij perimetri me një mandat qytetar duhet të jenë pjesë.”

POSTIMI I BARDHIT: 

Pas 11 viteve keqqeverisje Edi Rama u thotë shqiptarëve që duhet ta besojnë se ka ndryshuar mendje dhe do punojë për mirëqeverisje.

Pas 11 vitesh që e ka shndërruar korrupsionin nga fenomen në sistem të mirëstrukturuar, Edi Rama bërtet me të madhe se duhet ta besojnë që të korruptuarit veprojnë pas shpinës së tij, edhe pse ai bëhet mburojë politike për ta derisa bien në rrjetën e drejtësisë.

Pas 11 vitesh që ka shkallmuar shtetin ligjor duke e shndërruar në shtet personal kryeministror, Edi Rama u thonë shqiptarëve se duhet ta besojnë që ka vullnet për të ndërtuar një shtet demokratik dhe europian.

E vërteta është që opozita në këto 11 vite ka qenë në betejë me qeverinë më të korruptuar në Ballkan. Për ne mirëqeverisja dhe lufta reale ndaj korrupsionit nuk është as propagandë dhe as diskutim veror. Lufta ndaj korrupsionit ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë.

Kur ne luftonim korrupsionin në shëndetësi, Edi Rama na quante shpifës dhe merrte në mbrojtje Ilir Beqajn.

Kur ne luftonim korrupsionin tek inceneratorët, Edi Rama i quante heronj Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, duke u dërguar si mburojë të malit të korrupsionit edhe deputetët e grupit të tij parlamentar.

Kur ne luftonim korrupsionin në Policinë e Shtetit që po sillte kanibizimin masiv të Shqipërisë, Edi Rama shpalli ministër kampion Saimir Tahirin.

Kur ne kërkojmë hetim parlamentar për korrupsionin qeveritar, Edi Rama shkel Kushtetutën për të penguar rolin kontrollues të Kuvendit.

Komisioni i Posaçëm “Të sfidojmë zbatimin e ligjit Antimafia” nuk është as rruga dhe as mjeti për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mirëqeverisje. E vetmja rrugë për mirëqeverisje dhe luftë reale ndaj korrupsionit është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që sigurojnë një qeverisje që jep llogari tek qytetarët dhe mbahet përgjegjëse për aktet që bën çdo 4 vjet.

Kjo mund dhe do të bëhet realitet vetëm përmes largimit të qeverisë më të korruptuar në Europë dhe Kryeministrit më të papërgjegjshëm në Europë.