Kroçiera “Monet” që u ankorua mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit mbante në bordin e saj 50 turistë britanikë.
Kjo është hera e dytë për këtë vit që anija luksoze vjen në Durrës dhe ishte pikërisht ajo që më datë 5 maj hapi sezonin e kroçierave në portin më të madh në vend. Në ditët dhe muajt në vazhdim, të tjera krociera pritet të vizitojnë qytetin bregdetar.
“Presim deri në fund të sezonit edhe 10 kroçiera të tjera, të cilat janë me numër më të madh pasagjerësh. Duam të themi që këto kroçiera që vijnë në vitin 2024 janë prenotuar që në vitin 2021, që ishte një vit pandemik”,- thotë kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka.
Megjithëse është një port tregtar, Durrësi përgjatë viteve të fundit ka qenë gjithnjë në vëmendjen e agjencive turistike botërore, që e kanë përfshirë atë në itinerarin e mjeteve lundruese të tyre. Vitet në vazhdim, pritshmëritë janë edhe më të mëdha.
“Porti i Durrësit ka kërkesa shumë të larta për kroçierat në vitet në vazhdim, si pasojë edhe e shndërrimit të këtij porti, që aktualisht është një port tregtar, që duhet të përshtatet për këtë lloj industrie. Në vitet në vijim do të ketë një interesim shumë të madh”,– deklaron kapiteni Allka.
Turistët e shumtë që mbërrijnë në vendin tonë përmes kroçierave luksoze janë vizitorët më të shpeshtë të siteve të trashëgimisë kulturore të Durrësit, Tiranës, Krujës etj.
Një biznes shumë fitimprurës për shtetin shqiptar është edhe furnizimi me naftë i jahteve luksoze, pasi vetëm vitin e kaluar nga taksa e karburantit u arkëtuan mbi 10 milionë euro.
Këtë vit, numri i jahteve luksoze pritet të jetë edhe më i madh.